Futboll

Krahasime interesante për Hoxhën pas supergolit që vendosi derbin kroat

Arbër Hoxha

Me golin me gjasë më të bukur në karrierë, Arbër Hoxha ka vendosur të shtunën derbin kroat. Në minutën e 84-t, kur rezultati ishte 1:1 në ndeshjen Dinamo – Rijeka, Hoxha mori top pranë vijës anësore në krahun e majtë. E shtyp pak kah mesi dhe goditi mjeshtërisht me të djathtën. Ndonëse këndi ishte shumë i vështirë, topi përfundoi në rrjetë për 2:1, për festën e madhe të tifozëve të zjarrtë dhe për fitoren e vlefshme të Dinamos.

Reprezentuesi i Shqipërisë, Hoxha, kështu ka konfirmuar formën e mirë që po kalon dhe rëndësinë që ka për gjigantin nga Zagrebi. Në verë nuk e kishte të sigurt mbetjen te Dinamo por tani po del të jetë shumë i vlefshëm. Ai ka tri gola e dy asistime në 11 paraqitje kampionale. Kishte shënuar edhe në fitoren e Dinamos në derbin tjetër të madh kroat, ndaj Hajdukut të Splitit.

Dinamo i ka bërë krahasim interesant golit të Hoxhës.

“Goli ishte thuajse kopje nga Kupa e Botës 1998, kur Robert Prosineçki e tundi rrjetën e Xhamajkës. Tribunat e stadiumit ‘Maksimir’ shpërthyen, Dinamo ishte në prag të fitores...”, ka shkruar Dinamo ndër të tjera.

Arbër Hoxha

Legjenda kroate, Prosineçki, kishte shënuar supergol në Botërorin 1998, nga një kënd po ashtu i vështirë.

Mediumet kroate kanë shkruar në superlativ për kosovarin dhe golin e tij. Sajti “germanijak” i ka bërë po ashtu një krahasim interesant.

“Nuk e ka statusin e ‘mbretit’ të cilin e kishte legjendari Kujtim Shala, por Hoxha është bërë i pëlqyeri i tifozëve të ‘Maksimirit’. Edhe kur nuk i shkon, nuk mund t’i thuhet asgjë. E jep maksimumin, nuk dorëzohet. Sërish një supergol që do të mbahet mend gjatë, goli që ndoshta mund t’i jap kahe stinorit të Dinamos”, ka shkruar “germanijak”.

“Sportske Novosti” ka shkruar se goli i Hoxhës ishte kryevepër. Sipas kësaj gazete, Hoxha ishte shpëtimtar i Dinamos në një ndeshje që u karakterizua edhe me vendime diskutabile të gjyqtarëve.

Dinamo nxori në shitje fanella me pamje nga festa e 27-vjeçarit, që është zhvilluar tek Istogu, Prishtina, Hajvalia, Besa e Pejës dhe Ballkani. 

Supergoli i Hoxhës ndaj Rijekës (VIDEO):

Trajneri i Dinamos, Mario Kovaçeviq, foli për Hoxhën në konferencë për shtyp.

“Ishte gol shumë i bukur. I dimë kualitetet e Arbërit. I lumtë, po punon mirë dhe kjo po i shpërblehet”, ka thënë Kovaçeviq.

Ka folur edhe vetë sulmuesi i krahut.

“Ndeshje e vështirë. Pjesa e parë ishte më e mira këtë kampionat. Kemi luajtur shumë mirë, kemi pasur shumë shanse për gol. Por në të dytën nuk kemi hyrë mirë. Kemi pasur pak probleme, por më e rëndësishmja në fund është fitorja”, ka thënë Hoxha për sajtin zyrtar të Dinamos.

I pyetur nëse ishte goli më i bukur në karrierë, Hoxha është përgjigjur: “Njëri prej më të bukurve. Por duhet të vazhdojmë kështu, pas pesë ditësh luajmë ndeshje të rëndësishme në Ligën e Evropës. Sa i takon golit, kam synuar këndin e dytë të portës dhe topi shkoi atje”.

Hoxha ka konfirmuar se është i denjë për Dinamon, ndërsa me gola si ai i së shtunës dhe me punë të madhe në fushë, së shpejti mund të sigurojë transferim milionësh në ndonjë ligë të madhe evropiane.