Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka lëshuar dy njoftime të enjten. Njoftimi i parë kishte të bënte rreth së ardhmes së përzgjedhësit të Kosovës, Franco Foda. I dyti për vendimin e Veldin Hoxhës për ta përfaqësuar Kosovën.
Kryetari i FFK-së, Ademi, ka thënë se si shtëpia e futbollit që ai drejton, nuk kanë marrë asnjë njoftim nga përfaqësuesit e trajnerit gjerman Foda apo ndonjë palë tjetër për largim të mundshëm.
Të mërkurën, mediat arabe kanë raportuar se Al-Wahda ka nisur bisedimet me Fodan për ta punësuar si trajner.
Në një postim në Facebook të enjten, Ademi ka thënë se pret nga Foda t’i përmbushë obligimet kontraktuale që ka me Kosovën.
“Pas raportimeve se përzgjedhësi Franco Foda është pranë largimit nga posti i tij në Kombëtaren tonë, dëshiroj të informoj opinionin publik se as unë, si president, dhe as FFK-ja si institucion nuk kemi marrë asnjë njoftim zyrtar nga përfaqësuesit e përzgjedhësit Foda apo nga ndonjë palë tjetër. Foda aktualisht ka obligime kontraktuale me ne dhe presim që ato obligime të përmbushen, veçanërisht tani, në këtë fazë të rëndësishme të fushatës kualifikuese për Kampionatin Botëror, drejt së cilës shkojmë me optimizëm dhe dëshirë të madhe për sukses”, ka shkruar Ademi.
Al-Wahda, ekip me bazë në Abu-Dhabi, është prej ekipeve më të suksesshme në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Kryetari i FFK-së edhe për KOHËN tha se Foda do të mbetet trajner i Kosovës.
“Ka kontratë”, ka thënë shkurt Ademi për KOHËN të enjten.
Selektori Foda nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS.
59-vjeçari Foda mori drejtimin e Kosovës në shkurt të vitit 2024 dhe ka kontratë deri në verën e vitit të ardhshëm.
Përfaqësuesja e Kosovës në futboll ka shënuar ngritje nën drejtimin e trajnerit gjerman.
Kosova nën drejtimin e Fodas ka shënuar nëntë fitore, ndërsa ka edhe katër humbje. Një humbje e ka me rezultat zyrtar ndaj Rumanisë. Dy fitoret më të rëndësishme janë ndaj Islandës në plejofin e Ligës së Kombeve. Falë dy fitoreve, Kosova edicionin e ardhshëm do të paraqitet për herë të parë në Ligën B të Ligës së Kombeve.
Krahas rezultateve pozitive, me Fodan selektor, janë afruar edhe shumë lojtarë të rinj. Së fundi për Kosovën ka pranuar të paraqitet Veldin Hoxha. Lajmin e ka bërë të ditur të enjten Federata e Futbollit e Kosovës. Hoxha 22-vjeçar luan në pozitën e mesfushorit, ndërsa bën karrierë te Rubin Kazani në Rusi.
“Me kënaqësi dhe krenari njoftojmë se mesfushori i njohur, Veldin Hoxha, tashmë është pjesë e Kombëtares së Kosovës! Veldini do të jetë pjesë e Dardanëve për ndeshjet e ardhshme”, shkruan FFK-ja.
Ai më herët ka luajtur për të gjitha grupmoshat e Kroacisë. Për Shpresat e Kroacisë ka luajtur 24 ndeshje.