Përzgjedhësi i Kosovës në futboll, Franco Foda, ka zbuluar arsyen pse refuzoi një ofertë fitimprurëse nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
Foda në një intervistë të gjatë dhënë për KOHËN të mërkurën, e cila do të transmetohet e plotë në emisionin Sporti TOTAL të KTV-së, të dielën nga ora 22:15, ka pranuar se ka pasur ofertë për të marrë drejtimin e një klubi arab.
Por ka theksuar se ka plane të mëdha me Kosovën.
Foda me Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) ka kontratë deri më 30 nëntor të vitit 2025.
Vazhdimi i kontratës do të varet nga rezultatet e kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.
“Nuk dua të flas tash për Al Wahdan. Për mua është me rëndësi kontrata që kam me Federatën e Kosovës deri më 30 nëntor 2025. Nëse kualifikohemi në Botëror vazhdohet kontrata deri më 30 qershor 2026. Kjo është për mua me rëndësi. Ne në vitin e fundit kemi zhvilluar diçka me lojtarët, me federatën. Janë kualifikimet për Botëror para derës. Kemi mundësi të kualifikohemi në Botëror. Për këtë ka qenë me rëndësi për mua këtë kontratë të vlefshme ta përmbushi. Ndihem shumë mirë këtu në Kosovë, njerëzit janë shumë të sjellshëm dhe të mirë. Jemi pranuar mirë. Për këtë kam vendosur të mbetem tutje në Kosovë”, ka thënë Foda për KOHËN të mërkurën.
Ai thotë se ka ndier përgjegjësi ndaj lojtarëve dhe Federatës për të vazhduar punën te Kosova.
“Pas dy muajsh e kemi ndeshjen e parë në Zvicër, në eliminatoret për Botëror. Është shumë me rëndësi që t’iu përmbahesh kontratave, dhe përgjegjësitë që i ke si trajner. Por, ka normalisht interesim dhe oferta kur je i suksesshëm. Kështu është biznesi i futbollit”, ka shtuar Foda.
59-vjeçari, Foda e mori drejtimin e Kosovës në shkurt të vitit 2024.
Nën drejtimin e Fodas, Kosova i ka shënuar nëntë fitore, ndërsa ka edhe katër humbje. Një humbje e ka me rezultat zyrtar ndaj Rumanisë. Dy fitoret më të rëndësishme janë ndaj Islandës në plejofin e Ligës së Kombeve. Falë dy fitoreve, Kosova edicionin e ardhshëm do të paraqitet për herë të parë në Ligën B të Ligës së Kombeve.
Foda ka folur edhe për takimin që pati me presidentin e FFK-së, Agim Ademi, në Vjenë. Ai ka theksuar se me presidentin Ademi kanë diskutuar rreth së ardhmes së Kosovës.
“Flas shumë shpesh me presidentin, është shumë normale. Në radhë të parë jam trajner i përfaqësueses A të Kosovës, por për mua personalisht është me rëndësi që në përgjithësi në futbollin e Kosovës të zhvillohen gjërat më tutje. Kemi shikim për të tërësinë e madhe. Angazhohemi pos me përfaqësuesen A, edhe me ekipet e të rinjve U21 dhe U19. Për mua është me rëndësi që së bashku këtu të krijojmë një ide të lojës, identitet për çfarë dëshiron të qëndrojë futbolli kosovar. Ka shumë tema për të cilat flas rregullisht me presidentin. E në këtë bisedë në Vjenë ka qenë edhe për të ardhmen. Çfarë duam të zhvillojmë tutje ne këtu në Federatën e Kosovës së bashku”, ka theksuar tekniku gjerman.
Prej shtatorit, për Kosovën fillojnë kualifikimet për Botërorin 2026. Ndeshjen e parë e ka më 5 shtator ndaj Zvicrës në udhëtim. Më 8 shtator e pret Suedinë në Prishtinë. Në grupin B është edhe Sllovenia.
Për gjasat e Kosovës për kualifikim historik në Botëror në një grup me Zvicrën, Suedinë e Slloveninë, se kush është lider te Kosova, se çfarë mendimi ka për Granit Xhakën e Ardon Jasharin dhe kush do të jenë prurjet e reja, do t’i mësoni gjatë intervistës që do të transmetohet në mbrëmjen e së dielës në Kohavision.