Franco Foda e di se për suksesin e një ekipi të futbollit duhet të plotësohen shumë kushte.
Por përfundimisht Foda është prej arsyeve kryesore që përfaqësuesja e Kosovës në futboll po e kalon momentin më të mirë të saj.
Gjermani Foda e mori drejtimin e Kosovës më 17 shkurt të vitit 2024. Pas periudhës testuese, 59-vjeçari e vendosi ekipin në “binarët e duhur”. Dhe suksesi i Kosovës nuk ka të ndalur.
Viti 2025 ishte bindshëm më i miri i Kosovës deri më tani. Foda ka gjetur “kodin” për sukses, ka kontrollin mbi ekip, ka përkrahjen e plotë të opinionit, federatës e lojtarëve dhe rezultati është ai që synohet.
Në një intervistë për KOHËN, Franco Foda ka treguar se i ka besuar potencialit të përfaqësueses së Kosovës. Por ai e di që vetëm potenciali nuk mjafton.
“Paraprakisht e kam studiuar plotësisht ekipin nacional të Kosovës dhe isha i bindur për potencialin e madh. Megjithatë aftësitë teknike dhe taktike nuk janë të mjaftueshme për sukses. Intensiteti, hierarkia, forca mentale, entuziazmi, komunikimi i qartë dhe korrekt, shpirti ekipor dhe mentaliteti fitues janë faktorë vendimtarë për sukses. Suksesi vjen kur plani i lojës, tipi i lojtarëve dhe karakteri i ekipit përputhen. Detyra jonë ishte të gjejmë lojtarët e duhur për idetë tona dhe për ekipin”, ka thënë Foda.
Hierarkia e duhur vlerësohet se ka munguar në të kaluarën. Komunikimi i qartë dhe korrekt po ashtu. Foda mori disa vendime, disa goxha të vështira – si ai për dënimin e tre prej lojtarëve kryesorë – që sollën disiplinën dhe atmosferën e duhur te Kosova.
Ai ishte njoftuar paraprakisht për cilësinë, mentalitetin, shpirtin e ekipit dhe strukturën e ekipit po ashtu. Para se të pranonte që ta drejtojë Kosovën, Foda mori informacion të rëndësishëm edhe për mjedisin e punës dhe kulturën.
I pyetur se cili ishte momenti vendimtar që ktheu përfaqësuesen në rrugën e suksesit, Foda u përgjigj: “Ne i shfrytëzuam ndeshjet miqësore si mjet zhvillimi jo si ngjarje të bazuar në rezultate. Ju mund të njihni lojtarët vërtetë vetëm në stërvitje dhe ndeshje. Ne i analizuam ndeshjet miqësore në faza të ndryshme të lojës dhe nxorëm përfundime prej kësaj. Pastaj krijuam qartësi brenda ekipit kombëtar. Çdo lojtar duhet ta dijë se çka presim prej tij. Lojtari duhet ta dijë rolin dhe përgjegjësinë brenda ekipit kombëtar dhe duhet të respektojë rregullat. Qartësia dhe guximi për të thënë të vërtetën janë gjithashtu zhvillim. Ne mund të kemi sukses vetëm së bashku”.
Prej fitoreve të shumta, Foda i veçon tri.
“Në Murcia të Spanjës kundër Islandës, ne e përmbysëm rezultatin pasi ishim në disavantazh dhe siguruam fitoren 3:1. Kështu e siguruam ngjitjen në Ligën B të Ligës së Kombeve. Fitorja 2:0 në shtëpi kundër Suedisë ishte shumë e rëndësishme. Sidomos pas humbjes në Zvicër, ekipi tregoi karakter, shpirt dhe forcë mendore. Ekipi dëshmoi se mund ta përballojmë një humbje pa pasur dyshime në vetvete. Fitorja 2:0 në Slloveni përmes të cilës arritëm finalet e plejofit. Ekipi tregoi që mund të përballojë presionin që sjellin pritjet dhe rezultatet po ashtu”.
Me sukseset e arritura sidomos në vjeshtë, përfaqësuesja solli entuziazëm të madh në vend. Interesimi për lojtarët dhe për përfaqësuesen është shumë i madh.
Foda është i vetëdijshëm për këtë.
“Ekipi nacional nuk impresionoi vetëm në fushë gjatë vitit 2025. Solli edhe emocione të forta, si në fushë ashtu edhe në tribuna. Unë dhe i gjithë vendi mund të jemi vërtet krenarë me këtë ekip nacional”, thotë Foda.
Ai e vlerëson shumë edhe përkrahjen e tifozëve.
Në fakt përfaqësuesja ka pasur përkrahje të madhe në çdo vend ku luajti. Sidomos në Lubjanë, ku dukej që Kosova ishte vendase e jo Sllovenia.
“Ne jemi shumë krenarë me tifozët tanë. Atmosfera në stadiume është e pabesueshme. Ndihet që po luajmë vetëm ndeshje në shtëpi. Kur ekipi dhe tifozët qëndrojnë të bashkuar, diçka vërtet e veçantë mund të ndodhë”, ka shtuar përzgjedhësi Foda.
Kosova më 26 mars luan ndaj Sllovakisë në gjysmëfinale të plejofit për kualifikim në Botëror. Foda, natyrisht, ka nisur punën për ta përgatitur atë ndeshje. Puna e gjermanit dhe stafit të tij ka nisur menjëherë pas tërheqjes së shortit.
“Natyrisht ne tashmë kemi shikuar Sllovakinë. Shumë detaje të vogla në aspektin tekniko-taktik, të standardeve, të forcës mendore, shpirtit ekipor dhe qasjes do të luajnë rol të madh”, ka vlerësuar Foda.