Kosova është dy fitore larg kualifikimit në Kupën e Botës 2026 në futboll. Por tashmë Kosova e ka “titullin jozyrtar të botës”. Madje atë e mban që nga 8 shtatori.
“Titullin jozyrtar të botës” Kosova e siguroi me fitoren 2:0 ndaj Suedisë në “Fadil Vokrri”. Dhe pasi nuk ka humbur nga 8 shtatori, vazhdon ta mbajë atë.
Dhe Kosova do të jetë kampione jozyrtare e botës të paktën deri më 26 mars të vitit të ardhshëm, kur e luan ndeshjen e radhës.
“Titulli jozyrtar i botës” në fakt është simbolik. Është mënyrë e llogaritjes së rezultateve në futboll, që përdor parimin e boksit për të shpallur më të mirin. Ai që e mposht më të mirin, bëhet më i miri.
Ekipi përfaqësues që ka fituar ndeshjen e parë ndërkombëtare është “shpallur” kampion jozyrtar i botës. Ekipi përfaqësues i parë që e ka mposhtur kampionin është shpallur kampion i ri. Dhe kështu kampioni ka ndërruar sa herë që është mposhtur ish-kampioni.
Anglia ishte përfaqësuesja e parë “kampione jozyrtare e botës”. E kishte mposhtur Skocinë me rezultatin 4:2 në vitin 1873. Në fakt ishte ndeshja e dytë ndërkombëtare, pasi e para, mes dy përfaqësueseve të njëjta, e luajtur në vitin 1872, kishte përfunduar pa gola.
Ideja fillimisht ishte e tifozëve skocezë dhe e disa mediave në Skoci. Pasi Skocia e kishte mposhtur Anglinë, që e kishte fituar Botërorin 1966, skocezët në shaka thanë se ishin “kampionë jozyrtarë të botës”. Humbja nga Skocia, më 15 prill 1967, ishte e para për Anglinë si kampione e botës.
Në vitin 2002 disa statisticientë të futbollit përcaktuan rregullat për “kampionatin jozyrtar të botës në futboll” dhe publikuan kampionët që nga i pari. Madje është shkruar edhe një libër për këtë temë.
54 përfaqësuese kanë mbajtur “titullin jozyrtar të botës deri më tani”. Suedia e kishte titullin deri më 8 shtator 2025. Dhe pasi Kosova e mposhti Suedinë në “Fadil Vokrri”, e fitoi “titullin”. “Dardanët” e mbrojtën “titullin” duke barazuar pa gola me Slloveninë, duke fituar 1:0 ndaj Suedisë dhe 2:0 ndaj Sllovenisë në udhëtim dhe duke luajtur 1:1 me Zvicrën në shtëpi, më 18 nëntor. Me barazim, kampioni e mban titullin.
Kosova luan me Sllovakinë më 26 mars 2026 në Bratislavë. Është ndeshje gjysmëfinale e plejofit për kualifikim në Botërorin e vërtetë, atë që vitin tjetër mbahet në SHBA, Kanada e Meksikë.
Me fitore, Kosova do të ishte vetëm një fitore larg ngjarjes kryesore të futbollit. Dhe natyrisht, do ta mbante “titullin jozyrtar të botës”.