Futboll

Kosova, kampione jozyrtare e botës

Kosova kampione e botes

Përfaqësuesja e Kosovës para ndeshjes me Suedinë (Foto: FFK)

Se fitorja ndaj Suedisë kishte vlerë shumë të madhe për Kosovën, tashmë dihet nga të gjithë. Me fitoren e së hënës në “Fadil Vokrri”, Kosova është kthyer në garë për kualifikim në Botërorin që vitin e ardhshëm mbahet në SHBA, Meksikë e Kanada.

Por me fitoren 2:0, Kosova është “shpallur” kampione jozyrtare e botës. 

Kampionati Botëror Jozyrtar i Futbollit (UFWC) është një mënyrë joformale e llogaritjes së përfaqësueses më të mirë ndërkombëtare të futbollit në botë. Për këtë përdoret një sistem eliminimi. 
Disa entuziastë futbolli e zhvilluan idenë, që fillimisht ishte e tifozëve skocezë. Pas fitores së Skocisë ndaj Anglisë, që kishte fituar Botërorin e vitit 1966, skocezët thanë se pasi kishin mposhtur kampionen në fuqi të botës, ata ishin kampionët e rinj. Ajo fitore ishte shënuar në prill 1967.

Por si funksionon mënyra e “shpalljes” së kampionit jozyrtar të botës?

Përfaqësuesja që e fitoi ndeshjen e parë ndërkombëtare është deklaruar si kampionia e parë jozyrtare e botës. Ishte Anglia, që kishte fituar 4:2 ndaj Skocisë në vitin 1873, në ndeshjen e dytë ndërkombëtare në histori. E para, mes përfaqësueseve të njëjta, e luajtur në vitin 1872, kishte përfunduar 0:0.

Dhe fituesi i ndeshjes tjetër ndërkombëtare me përfaqësuesen “që mbante titullin” është deklaruar si kampione e re. Me barazim, titullin e ka mbajtur dhe e mban përfaqësuesja që e kishte. Kështu titulli jozyrtar ka lëvizur nga njëra përfaqësuese te tjetra, dhe tani Kosova llogaritet “kampione jozyrtare e botës”. Kampione e kaluar ishte Suedia. Pasi Kosova e mposhti Suedinë, Kosova është kampione e re.

“Titulli jozyrtar i botës” llogaritet nga viti 2002, por për bazë janë marrë ndeshjet që nga e para ndërkombëtare.

Suedia e ka mbajtur “titullin” për tre muaj, pasi e kishte fituar ndaj Algjerisë. Ndërkohë Algjeria ishte “kampione” për shtatë muaj. Skocia është përfaqësuesja më e suksesshme në këtë mënyrë të llogaritjes.

Kosova e ka të garantuar se do të jetë kampione jozyrtare e botës deri më 10 tetor, kur luan ndaj Sllovenisë, po në “Fadil Vokrri”. Nëse Kosova e shmang disfatën në atë ndeshje, do të luhet revanshi me Suedinë, më 13 tetor në Goteborg.