Përzgjedhësi i Kosovës në futboll, Franco Foda, ka zhvilluar një takim me talentin e gjigantit gjerman, Bayern Munchen, Yll Gashi.
Gazeta e madhe gjermane “Bild” ka raportuar se Foda dëshiron ta bindë Gashin t’i bashkohet Kosovës.
“Trajneri i Kosovës, Franco Foda, udhëtoi për në Mynih për bisedime dhe tani dëshiron ta bindë Gashin që të kalojë në ekipin përfaqësues të të rriturve sa më shpejt të jetë e mundur. Kosova, e cila e mposhti dy herë Suedinë në kualifikimet e Kupës së Botës, aktualisht renditet e dyta pas Zvicrës dhe ka gjasa të mira për t’u kualifikuar në Botërorin e vitit 2026”, shkruan “Bild” të martën.

Kjo gazetë ka shkruar edhe që shumë klube kanë shprehur interesim për Yll Gashin.
Gashi është 17-vjeçar dhe luan si qendërsulmues. Ai iu bashkua Bayernit nga Hertha e Berlinit në shtator të vitit 2022 në moshën 14-vjeçare, për 90 mijë euro. Ka treguar paraqitje të mira për ekipet U17 dhe U19. Ka 39 gola e 13 asistime në 54 ndeshje.
“Edhe Shqipëria e dëshiron Gashin. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, po ashtu ishte në Munih për bisedime. Që atëherë të dyja federatat kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me Gashin”, vazhdon shkrimi i gazetës gjermane.
Gashi ka një gol në 15 ndeshje për Gjermaninë U17, ndërsa ka shënuar tre gola për Gjermaninë U16.
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, për KOHËN ka konfirmuar interesimin për Gashin.
“Talenti Yll Gashi është tashmë i dëshmuar si lojtar, shumë perspektiv dhe shumë i kërkuar. Normalisht, jemi në kontakt që shumë kohë me babanë e tij. Trajneri Foda është në kontakt me lojtarin. Sigurisht që dëshira është e madhe që ai të jetë pjesë e projektit të FFK-së dhe kombëtares sonë. Jemi në kontakt dhe e mirëpresim Yllin tonë dardan”, ka thënë Ademi të martën.

Kosova tashmë ka zgjedhje të shumta në sulm. Sulmues kryesor është Vedat Muriqi, ndërsa rol kyç po luajnë edhe Fisnik Asllani dhe Albion Rrahmani.
Gashi, i cili u transferua në Mynih me familje në vitin 2022, shpreson të bëjë kalimin tek ekipi i parë i Bayernit.
“Bild” ka shkruar se për Gashin interesim kanë shprehur: Milani, Atalanta, Leipzigu, Eintracht Frankfurti, Freiburgu, Augsburgu, Ajaxi, Fenerbahçe, Galatasaray, Anderlechti, Baseli, Young Boysi dhe Salzburgu.