Kosova ishte vlerësuar autsajdere e grupit pas tërheqjes së shortit për kualifikimet e Kupës së Botës 2026. Dhe në fund të kualifikimeve të rregullta Kosova u rendit e dyta në grup me Zvicrën, Slloveninë dhe Suedinë.
Pozita e dytë ia siguroi Kosovës paraqitjen në plejofin për kualifikim në Botëror. Është sukses historik, kurse edhe në plejof Kosova vlerësohet autsajdere. Fillimisht Kosova do të luajë në udhëtim me Sllovakinë më 26 mars, ndërsa nëse e fiton atë ndeshje më 31 mars e pret Turqinë apo Rumaninë.
Pas tërheqjes së shortit për Botëror, të premten, thuajse askush nuk e ka përmendur Kosovën si përfaqësuese me gjasa për ta fituar “plejofin C” ku janë edhe Turqia, Rumania e Sllovakia.
Edhe në bazë të ranglistës së FIFA-s, Kosova është autsajdere në plejof. Është përfaqësuesja e renditur më së ulëti në ranglistën e FIFA-s e që paraqitet në plejof.
Kosova nuk është përmendur nga drejtues të përfaqësueseve të SHBA-së, Australisë dhe Paraguait, që do të jenë në një grup në Botëror me fituesin e “plejofit C”.
As te Turqia, kundërshtarja e mundshme në finale të plejofit, nuk mendojnë se Kosova apo Rumania mund t’ua ndalin në gjysmë ëndrrën për t’u kthyer pas 24 vjetësh në skenën më të madhe të futbollit.
“Është një nga shortet më të mira të mundshme. Mendoj se djemtë tanë do të jenë në krye të grupit. Pasi të kualifikohemi, është thelbësore që të jemi në krye të grupit. Lojtarët do ta arrijnë këtë ”, tha presidenti i Federatës Turke të Futbollit, Ibrahim Haciosmanoglu.
Te Kosova duket që nuk janë të brengosur me rolin e autsajderit, përkatësisht me faktin që nuk vlerësohen shumë. Të paktën kualifikimet e dëshmojnë këtë. Kosova la prapa Slloveninë e Suedinë, që vlerësohen jo pak në futbollin evropian.
Trajneri Ismet Munishi thotë se Kosovës i ka shërbyer “mosvlerësimi” nga kundërshtarët.
“Kombëtarja jonë është stabilizuar, tregon edhe suksesi që kemi arritur në një grup shumë të fortë, me kundërshtarë jashtëzakonisht seriozë. Grupi në Botëror nuk është se ka përfaqësuese të papërballueshme. Forca jonë ekziston në atë që tashmë jemi unikë, kemi lojtarë në formë e që luajnë në klubet e tyre. Ka edhe lojtarë që pritet të vijnë në formën optimale. Duhet të presim ndeshjet e marsit me shumë optimizëm. Është rrethanë lehtësuese që kundërshtarët nuk po na shohin si favoritë”, ka thënë Munishi për KOHËN të dielën.
Dy kampanjat e para kualifikuese për Botëror ishin të zbehta për Kosovën. Por, në të tretën “Dardanët” shpërthyen.
Munishi vlerëson se Kosova është rritur shumë nën drejtimin e teknikut gjerman Franco Foda.
“Ne nuk po i dominojmë kundërshtarët, po mbrohemi fort dhe kemi tranzicion shumë të rrezikshëm. Mund të themi që për herë të parë e kemi një identitet të lojës. Më herët jemi bazuar në individë dhe me ndryshime të shpeshta të skemave të lojës, me të gjithë trajnerët. Por tash ky formacion me të cilën trajneri po luan, 3-5-2, që po shndërrohet në 5-3-2 e nganjëherë edhe në 5-4-1, po del i suksesshëm. Mund të themi që kemi krijuar një identitet të lojës dhe kjo po sjell sukses. Edhe prurjet e reja së fundmi na kanë përforcuar jashtëzakonisht shumë si në mbrojtje, mesfushë dhe sulm. Është rritur konkurrenca dhe po shihet ndikimi”, është shprehur Munishi.
Ai insiston se fokusi i Kosovës duhet të jetë vetëm te ndeshja në Bratislavë.
“Ne duhet të koncentrohemi te Sllovakia dhe pastaj të mendojmë për ndeshjen tjetër. Kur i kemi marrë ndeshjet një nga një kemi pasur sukses. Unë mendoj se gjasat me Sllovakinë janë 50 me 50. Është kombëtare e respektuar, por duke parë paraqitjet tona me Slloveninë, Suedinë dhe në ndeshjen e fundit ndaj Zvicrës, ne e presim këtë ndeshje kundër Sllovakisë me optimizëm. Nëse nuk janë më të forta Sllovenia dhe Suedia sesa Sllovakia, më të dobëta nuk janë. Ne kemi arritur një nivel ku po i mposhtim kombëtare shumë të respektuara. Kjo është e rëndësishme për ne”, ka theksuar Munishi.