Trajneri i Real Madridit, Xabi Alonso, ka refuzuar të flasë të shtunën për komentet e bëra nga superylli i futbollit, Lamine Yamal. Yamali kishte thënë një ditë më herët se klubi nga Madridi “vjedh” dhe “ankohet”.
Por, Alonso ka qenë i fokusuar për “El Clasicon” që do të luhet në “Santiago Bernabeu” të dielën nga ora 16:15, në kuadër të xhiros së dhjetë të La Ligas.
Lider i elitës spanjolle është Real Madridi me 24 pikë, dy më shumë se Barcelona.
Alonso të shtunën në konferencën për shtyp ka pranuar vazhdimisht pyetje rreth deklaratave të Yamalit, të cilat i kishte mbështetur edhe ish-mbrojtësi i Barcelonës, Gerard Pique.
Por, Alonso theksoi se “ndeshja është e rëndësishme, shumë e rëndësishme”.
“Nuk do të hyjë në këtë temë. Ka pasur shumë deklarata nga njerëz në Barcelonë dhe nuk mund t’i komentojë të gjitha. Për ne, e rëndësishme është fusha, ajo që ndodh në fushë. Kjo më shqetëson mua më së shumti dhe për këtë po punojmë”, ka deklaruar Alonso një ditë para ndeshjes.
Alonso do të mundohet që ta shfrytëzojë “El Clasicon” e parë të sezonit si shans që Real Madridi ta kthejë dominimin në ndeshjet e mëdha. Reali u mposht thellë në gjysmëfinale të Kupës së Botës për Klube nga Paris Saint-Germaini në verë, dhe humbi nga Atletico Madridi më herët në këtë sezon.
Në edicionin e kaluar, Barcelona i ka shkaktuar shumë telashe madrilenëve, duke i mposhtur katër herë në të gjitha garat, përfshirë fitoren 4:0 në “Bernabeu” dhe 5:2 në finalen e Superkupës së Spanjës.
“Ndeshja ka shije të veçantë dhe është më e rëndësishmja për momentin. Do të ketë situata të ngjashme por do të jetë krejtësisht ndryshe nga sezoni i kaluar. Duam të jemi të fortë në të gjitha aspektet. ‘El Clasico’ është i veçantë. I pari në projektin e ri. Kemi nevojë që stadiumi të na dhurojë energjinë e ndeshjeve të mëdha, për të na shtyrë përpara. Besojmë se jemi në formë të mirë, si mendërisht, ashtu edhe në aspektin e futbollit që ne e aplikojmë”.
Barcelona nga ana tjetër në derbin ndaj Madridit do të jetë pa brazilianin Raphinha. Lajmin e ka konfirmuar të shtunën asistenti i Hansi Flickut, Marcus Sorg.
Përveç Raphinhas, lista e lëndimeve te Barcelona është edhe më e gjatë.
Përveç 28-vjeçarit Raphinha, që është duke u rikuperuar nga një lëndim muskulor, mungojnë edhe Dani Olmo, Robert Leëandoëski, Gavi dhe portierët Joan Garcia dhe Marc-Andre ter Stegen.
Barcelona është goditur fort në këtë aspekt, pasi ka pasur dhjetë lojtarë të lënduar që prej muajit gusht. Te kampionia në fuqi e Spanjës shpresojnë që plotësisht të gatshëm për lojë të jenë Ferran Torres, Jules Kounde, Andreas Christensen dhe Frenkie De Jong. Të gjithë këta kanë stërvitur të shtunën.
“Çdo skuadër do ta ndiente mungesën e Raphinhas, por kjo është situata. Ai është i lënduar”, ka thënë Sorg të shtunën në konferencën për shtyp.
“Do të shohim nëse Ferran Torres do të jetë titullar. Do të vendosim të dielën. Jules Kounde po ashtu ka stërvitur në mëngjes dhe mund të luajë. Ende nuk kam ide për njëmbëdhjetëshen titullare”.
Torresi u largua nga kampi stërvitor i Spanjës në grumbullimin e muajit tetor për shkak të një tjetër lëndimi muskulor. De Jong mungoi në tri seanca stërvitore këtë javë sepse ishte i sëmurë, kurse Kounde u detyrua të zëvendësohej në fitoren 6:1 ndaj Olympiacosit në Ligën e Kampionëve në mesjavë, pasi mori goditje.
Sorg do ta udhëheqë skuadrën të dielën pasi trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, është i suspenduar pas kartonit të kuq të marrë në fitoren 2:1 ndaj Gironas në La Liga më 18 tetor. Ai protestoi ashpër për një vendim të gjyqtarit, dhe më pas u përjashtua nga loja.
Sorg ka bërë të ditur se mungesa e 60-vjeçarit do të ndihet, por ka theksuar se skuadra është e përgatitur.
“Mungesa e Flickut do të ndihet sepse ai është njëri prej më të rëndësishmëve në skuadër”, ka deklaruar Sorg.
Në katër fitoret në “El Clasico” në edicionin e kaluar, Barcelona i shënoi 16 gola ndaj Real Madridit.