Futboll

Juve përballë Veronas, Zhegrova nuk do të luajë 90 minuta

Edon Zhegrova

Juventusi e kërkon fitoren e katërt radhazi në Serie A.

Juve të shtunën nga ora 18:00 luan në udhëtim te Verona. Ndeshja i takon xhiros së katërt të kampionatit italian. 

Sulmuesi i Kosovës, Edon Zhegrova, të martën debutoi me Juven në barazimin 4:4 ndaj Borussia Dortmundit. Kjo ndeshje i takoi xhiros së parë të fazës së ligës në Champions.

Zhegrova në lojë u inkuadrua nga minuta e 87-të dhe u vlerësua për paraqitjen e shkurtër që e pati. 

26-vjeçari megjithatë nuk është ende i gatshëm të paraqitet për 90 minuta.

Trajneri i Juventuesit, Igor Tudor, të premten në konferencë për shtyp la të kuptohet se Zhegrova do të paraqitet ndaj Veronës, por nuk do të luajë 90 minuta.

“Francisco Conceicao dhe Edon Zhegrova nuk do të jenë në gjendje të luajnë për 90 minuta të plota, por mund të jenë shumë të dobishëm. Edoni ende nuk ka shumë minuta në fushë, kështu që do t’i vlerësojmë gjërat dhe do t’i planifikojmë saktë”, është shprehur Tudor.

Sulmuesi i krahut u kthye në fushë pas lëndimit që e mbajti jashtë nga dhjetori i vitit të kaluar.

Kryendeshja e xhiros së katërt vlerësohet të jetë Lazio – Roma.

Kjo ndeshje luhet të dielën nga ora 12:30.

Lazio ka një fitore dhe dy humbje. Është në mesin e tabelës me tri pikë.

Roma renditet në pjesën e epërme të tabelës me gjashtë pikë.

Të dielën luan edhe Interi, nga ora 20:45 ndaj Sassuolos.

Kampioni në fuqi i Italisë, Napoli, të hënën e pret Pisan, në ndeshjen e fundit të xhiros. Napolitanët i prijnë tabelës me nëntë pikë.