Futboll

Jashari shpreson të shpërthejë në skenën e madhe

Erdon Jashari

Mesfushorit shqiptar të Zvicrës, Ardon Jashari, pritet t’i realizohet ëndrra e fëmijërisë të martën mbrëma  – të luajë në “San Siro”.

Jashari pritet të paraqitet për skuadrën belge, Club Brugge, kundër Milanit, në kuadër të xhiros së tretë të Ligës së Kampionëve.

Ndeshja Milan – Club Brugge luhet në stadiumin e famshëm “San Siro”. Ndeshja nis në ora 18:45, ndërsa Jashari mezi pret përballjen kundër Milanit.

“Është një ëndërr e realizuar për mua. Të gjithë ëndërrojnë të luajnë këtu  kundër një ekipi të madh. Do të jem gati për nesër. Shpresoj që nesër të kem mundësi për të treguar cilësitë e mia”, ka thënë Jashari në konferencën për media, të hënën.

Jashari 22-vjeçar iu bashkua skuadrës elitare të Belgjikës në verën e këtij viti nga Luzerni zviceran. Në dy ndeshjet e fundit kampionale për Club Bruggen, mesfushori kreativ ka luajtur nga 90 minuta.

Ai qëndroi në bankën e rezervistëve në ndeshjen e parë të Championsit ndaj Borussia Dortmundit, ndërsa luajti 90 minuta kundër skuadrës austriake, Sturm Graz.

Klubi nga Belgjika humbi nga Dortmundi 3:0, ndërsa fitoi ndaj Sturm Grazit, 1:0.

Tani Brugge kërkon fitoren e radhës në Champions. Por Jashari pranon se do ta kenë të vështirë ndaj Milanit.

“Kemi luajtur një ndeshje të shkëlqyer kundër Dortmundit. Kishim raste për të fituar ndeshjen, por në fund rezultati nuk ishte pozitiv. Ne megjithatë treguam cilësitë tona”, ka theksuar futbollisti me prejardhje nga Maqedonia e Veriut.

Ai vlerëson lojtarin e Milanit, zviceranin Noah Okafor. Me Okaforin në të kaluarën ka qenë në grumbullimet e Zvicrës.

Jashari me fanellën e Zvicrës është paraqitur në dy ndeshje. Ishte pjesë e Zvicrës në Evropianin “Gjermania 2024”. Por ai nuk luajti në asnjërën nga pesë ndeshjet e Zvicrës. Së fundi u kthye te Zvicra U21.

“Okafor është lojtar i mirë, kam luajtur me të në Zvicër dhe jam shumë i lumtur që ai luan për një ekip të madh. Milani ka shumë lojtarë të fortë, por nesër do të mendojmë vetëm për veten tonë”, ka thënë Jashari.

Club Brugge zë vendin e 21-të në Champions me tri pikë, kurse Milani është pa pikë në vendin e 32-të.

“Lojtarët e Milanit kanë cilësi të shkëlqyera dhe ende nuk i kanë treguar të gjitha. Presim presion të madh në fushë. Ata po përmirësohen dhe ne presim që Milani të jetë në nivel të lartë. Ne kemi bërë detyrat tona të shtëpisë. Në ndeshje të tilla kundër kundërshtarëve cilësorë duhesh të jesh i përqendruar. Ata do të na sfidojnë dhe të gjejnë hapësirat dhe ne nuk duhet të biem në atë kurth. Ne duhet të luajmë lojën tonë si kundër Dortmundit. Ne duhet të vazhdojmë rrugën tonë, lojtarët kanë nevojë për besim”, ka thënë trajneri i Club Brugge, Nicky Hayen.

Të martën do të luhen edhe tetë ndeshje të tjera të xhiros së tretë të Ligës së Kampionëve.