Fitorja e Beshiktashit ndaj Kayserisporit nuk i ka lënë përshtypje ish-futbollistit të njohur turk, Nihat Kahveci.
Beshiktashi të hënën e mposhti Kayserisporin me rezultatin 1:0, me gol të shënuar nga El Bilal Toure në minutën e 95-të.
Kahveci nuk është i kënaqur me shumë gjëra te skuadra e Beshiktashit.
Ish-futbollisti i Beshiktashit pati kritika edhe ndaj sulmuesit të Kosovës, Milot Rashica.
46-vjeçari e krahasoi paraqitjen e Rashicës me atë të epokës së Ricardo Quaresmas, sa ishte pjesë e Beshiktashit.
“Duke e parë Rashicën sot, disa mund të thonë se Quaresma duhet të kthehet në futboll. Rashica mund të jetë i dobishëm si lojtar mbështetës në një ekip të fortë, por nëse i jepet rol udhëheqës, ai nuk arrin të japë maksimumin. Është e pamundur të kuptohet pse trajneri Sergen Yalçin e mbajti Rashicën në lojë deri në minutën e 71-të, kur ai nuk po paraqitej mirë”, u shpreh Kahveci, shkruajnë të martën mediumet turke.
29-vjeçari Rashica këtë edicion në të gjitha garat ka kontribuar me dy gola dhe tri asistime.
Për Rashicën kanë shprehur interesim disa skuadra. Sulmuesi i Kosovës me Beshiktashin ka kontratë deri në verën e vitit të ardhshëm.