Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Irlanda e organizon në terren neutral ndeshjen me Izraelin

Irlanda

Ndeshja si vendase e Irlandës ndaj Izraelit në Ligën e Kombeve do të zhvillohet në terren neutral dhe prapa dyerve të mbyllura. Këtë e ka konfirmuar të premten Federata e Futbollit e Irlandës.

Irlanda e Izraeli janë në një grup me Kosovën e Austrinë në Ligën B të Ligës së Kombeve të UEFA-s.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Federata irlandeze është përballur me kërkesa nga aktivistë pro-Palestinë për bojkotim të ndeshjes me Izraelin. Kjo federatë ka thënë se ndeshja e 4 tetorit, e planifikuar të zhvillohej në kryeqendrën e Irlandës, do të zhvillohet në terren neutral për shkak të “sfidave operacionale”.

Në ndeshjen e fundit në shtëpi ndaj Katarit, aktivistë irlandezë hodhën në fushë topa të tenisit në shenjë proteste. Në topa ka shkruar “ndale lojën”, duke iu referuar ndeshjes me Izraelin.

Federata irlandeze ka konfirmuar se ka pranuar aprovimin e UEFA-s për ta zhvendosur ndeshjen e tetorit. Vendi se ku do të zhvillohet ndeshja nuk është bërë ende i ditur.

Dy përfaqësueset do të takohen edhe më 27 shtator, po në terren neutral. Izraeli ende i luan ndeshjet si vendas në terren neutral.

“Pas konsultimeve me palë të ndryshme të përfshira, Federata vlerëson se sfidat operacionale mund të ndikojnë në zhvillimin e ndeshjes në shtëpi. Kështu që ndeshja do të luhet larg stadiumit ‘Aviva’”, shkruan në një deklaratë të Federatës së Futbollit të Irlandës.

“Federata kupton dhe i respekton pikëpamjet e shprehura nga lojtarët dhe stafi, tifozët, anëtarët e saj, aktivistët, anëtarët e publikut dhe komuniteti irlandez i futbollit në lidhje me këtë ndeshje”.

Federata ka përsëritur se bojkotimi i ndeshjeve mund të dëmtojë shanset e Irlandës për kualifikim në Euro 2028, të cilin Irlanda e organizon së bashku me Britaninë.

“Humbja e gjashtë pikëve mund të dërgojë në rënie në Ligën C në Ligën e Kombeve të UEFA-s dhe të dobësojë potencialin tonë kualifikues”, shkruan tutje në deklaratën e federatës së Irlandës.

Irlanda është prej vendeve me përkrahjen më të madhe për Palestinën.

Federata e Futbollit e Irlandës ka treguar se ka qenë në kontakt të ngushtë me Federatën palestineze të futbollit, “e cila ka shprehur vlerësimin për qëndrimet parimore nga Federata e Futbollit e Irlandës në mbështetje të të drejtave të popullit palestinez dhe sportistëve palestinezë”.

Federata e Futbollit e Irlandës shtoi se më parë i kishte bërë thirrje UEFA-s që të pezullonte federatën e Izraelit nga garat e UEFA-s, në shenjë proteste ndaj veprimit ushtarak të Izraelit në Gaza.

Ndeshja e parë mes Izraelit dhe Kosovës është më 1 tetor, por nuk është caktuar ende se ku do të luhet.

Kosova e pret Izraelin më 14 nëntor.