Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Interesim shumë i madh për duelin e gjigantëve në Bundesligë

Sane vs Xhaka

Lideri i klasifikimit kundër të dytit në tabelë. Kampioni në fuqi kundër ekipit me numër rekord të titujve. Makineria e golave ndaj njërit prej ekipeve me më së shumti gola të pranuar.

Dueli i gjigantëve aktualë të Bundesligës zhvillohet të shtunën. Nga ora 18:30 takohen Bayerni e Bayer Leverkuseni. Derbi i takon xhiros së pestë. Bayerni është lider me 12 pikë, ndërsa Leverkuseni pas xhiros së katërt mban pozitën e dytë me nëntë pikë.

Në muajin shkurt, Bayerni u mposht 3:0 nga Leverkuseni. Nuk kishte asnjë shans për bavarezët në atë ndeshje. Por situata është krejt ndryshe tani.

I pari që tërhoqi vërejtjen pas fitores së vështirë, 4:3, ndaj Wolfsburgut në fundjavën e kaluar ishte Granit Xhaka. Fitorja u arrit me gol të minutës së fundit.

“Vlerësojmë se jemi top-ekip. Por një top-ekip nuk i pranon tri gola për 45 minuta”, kishte thënë Xhaka. Ai kërkoi përgjegjësi nga të gjithë lojtarët e kampionit aktual të Gjermanisë.

Edhe Nuk jep fitues derbi i madh i Bundesligës Futboll Nuk jep fitues derbi i madh i Bundesligës

“Mbrojtja përbëhet nga 11 lojtarë, jo nga një apo dy. Kemi ende shumë punë për të bërë në mbrojtje”, ka shtuar Xhaka, që pritet ta udhëheq mesfushën e Leverkusenit në derbin e veçantë.

Ka bazë ajo që tha Xhaka. Leverkuseni gjatë gjithë edicionit të kaluar pranoi 24 gola. Ndërkohë në katër ndeshje të këtij edicioni i pranoi plot nëntë gola. Trajneri Xabi Alonso është pajtuar me Xhakën. Ai e di se pa ndryshuar qasja në mbrojtje është e pamundur të arrihet diçka e madhe.

Situata është krejt ndryshe te bavarezët. Nën urdhrat e Vincent Kompany, Bayerni po shkëlqen në Bundesligë dhe garat e tjera. Bayerni ka fituar të gjitha gjashtë ndeshjet garuese, ndërsa i ka realizuar plot 29 gola.

Fokusi do të jetë te dy talente të mëdha. Shokët Jamal Musiala dhe Florian Wirtz e udhëheqin sulmin e Gjermanisë. Të dy të jashtëzakonshëm me top, të dy 21-vjeçarë dhe të dy në top formë.

Edhe Xhaka me padurim pret derbin me Bayernin Futboll Xhaka me padurim pret derbin me Bayernin

Musiala tashmë i ka tre gola e tri asistime në gjashtë paraqitje për Bayernin. Wirtzi i ka gjashtë gola e një asistim në shtatë paraqitje te Leverkuseni.

Për derbin e Bundesligës ka interesim shumë të madh. Ndeshja në “Allianz Arena” do të transmetohet në mbi 200 shtete. Stadiumi natyrisht do të jetë i mbushur me shikues. Biletat janë shitur shumë javë më parë. Sipas raportimeve, biletat në treg të zi kushtojnë deri në 6000 euro.