Manchester City e ka pësuar edhe humbjen e katërt rresht në të gjitha garat.
Pas humbjeve nga Tottenhami në Kupën EFL, Bournemouthi në Premier League dhe Sportingu në Ligën e Kampionëve, skuadra e Pep Guardiolës të shtunën u mposht edhe nga Brightoni, 2:1.
Ishte ndeshje e xhiros së 11-të.
Është hera e parë që City i ka humbur katër ndeshje rresht në të gjitha garat me Pep Guardiolën trajner.
Erling Haaland e kaloi Cityn në epërsi në minutën e 23-të. Haalandi tani ka 75 gola në 77 paraqitje në elitën angleze.
Por, Brightoni u kthye në lojë në fundin e ndeshjes me dy gola dhe i fitoi pikët e plota.
Joao Pedro shënoi në minutën e 78-të, ndërsa Matt O’Riley realizoi në minutën e 83-të.
Brajan Gruda luajti nga minuta e 66-të te Brightoni.
City mbetet në pozitën e dytë me 23 pikë, ndërsa Brightoni ka 19 pikë.