Rrugës për në Bosnjë-Hercegovinë, huliganët rumunë u ndalën në Beograd. Bënë thirrje kundër shtetit të Kosovës, kënduan “Kosova është Serbi”, bënë fotografi ofenduese dhe lartësuan kriminelin e luftës, Ratko Mladiq.
Por pasi u futën në Bosnjë-Hercegovinë, huliganët rumunë u ndalën nga policia e këtij vendi. Huliganët, të grupuar në grupin “Uniti Sub Tricolori”, u nxorën nga autobusët, u kontrolluan detajisht nga policia dhe mbetën pa shumë gjëra që kishin me vete. Ndër të tjera edhe pa flamujt e Serbisë mbi hartën e Kosovës.
Bëhet fjalë për grupimin e huliganëve që është i njohur për qëndrimet pro-serbe dhe anti-shqiptare e anti-Kosovë. Ky grup huliganësh kishte bërë thirrje kundër Kosovës edhe në “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Më pas kishte shpalosur banerin “Kosova është Serbi” në Bukuresht, duke shkaktuar telashe disa herë në ndeshjet e Rumanisë me Kosovën.
Dhe flamujt fyes ndaj Kosovës ka planifikuar t’i shfaqë edhe në Zenicë të Bosnjë-Hercegovinës.
Të shtunën përfaqësuesja boshnjake fitoi 3:1 ndaj Rumanisë në kualifikimet për Kupën e Botës 2026.
Të hënën ministri i Punëve të Brendshme të Kantonit Zenica-Doboj në Bosnjë-Hercegovinë, Emir Vraço, ka treguar se çka iu mor huliganëve rumunë.
Huliganët rumunë u ndalën dhe u kontrolluan nga policia boshnjake rreth 60 kilometra larg qytetit të Zenicës, ku u zhvillua ndeshja.
Pos flamujve anti-Kosovës, rumunëve iu morën edhe fanella me përmbajtje provokuese, kapela me përmbajtje nacionaliste serbe dhe maska të ndryshme.
“Kjo në kantonin Zenica-Doboj nuk kalon. Policia veproi shpejt e me vendosmëri, kurse e mbajti plotësisht situatën në kontroll. Zyrtarët tanë kanë treguar nivel të lartë profesional. Siguria e qytetarëve dhe e ngjarjeve sportive mbetet prioriteti ynë absolut”, ka shkruar Vraço në rrjetet sociale.
Huliganët rumunë u lejuan të hyjnë në stadium pasi filloi ndeshja. Në fund të ndeshjes ata kanë thirrur “Serbia, Serbia”.
Në Rumani ka pasur dhe vazhdon të ketë ankesa të shumta për mënyrën se si u sollën policët boshnjakë ndaj huliganëve rumunë.
Me fitore Bosnjë-Hercegovina ka siguruar të paktën plejofin. Ndërkohë humbja solli “trazira” të reja në përfaqësuesen e Rumanisë.