Gjithçka që lidhet me të ardhmen e sulmuesit Alexander Isak duhet të jetë situata e duhur për Newcastlen, ka thënë trajneri Eddie Howe.
Sulmuesi Isak pritet të largohet nga ekipi, ndërsa sipas mediumeve angleze, interesim ka shprehur Liverpooli, kampioni i Anglisë.
Isak nuk ka udhëtuar me skuadrën e tij në Singapor të enjten, ndërsa Newcastle në arsyetim kishte thënë se ka lëndim muskulor.
“Natyrisht se ka gjëra që bëhen prapa skenës. Ai duhet ta ketë të qartë se do të jetë në lajme çdo ditë dhe jam i sigurt se nuk është e lehtë për asnjërën palë të përfshirë. Bisedat që i kemi pasur me Alexin dhe klubin, apo ato me Alexin dhe me mua, do të mbesin private. Ne kemi marrëdhënie të mirë. Ka qenë i jashtëzakonshëm qëkur u bashkua me ne dhe duam që ai të vazhdojë në Newcastle. Por, çfarëdo që ndodh, duhet të jetë e duhura për Newcastlen”, ka deklaruar të shtunën Howe në konferencën për shtyp para miqësores me Arsenalin.
Isak u transferua nga Real Sociedadi në gusht të vitit 2022 për afro 60 milionë funte dhe ka kontratë deri në vitin 2028.
Ai i ka shënuar 27 gola në 42 paraqitje në të gjitha garat për Newcastlen në sezonin e fundit.