Mbrojtësi i Kosovës, Albian Hajdari, ka thënë se respekton mendimin e Granit Xhakës, porse ai dhe Leon Avdullahu kanë zgjedhur me zemër që të luajnë për Kosovën.
“Ajo çfarë ka thënë Granit Xhaka është mendimi i tij. Unë dhe Leon Avdullahu kemi zgjedhur me zemër të luajmë me Kosovën. Besoj që Leoni edhe unë e kemi marrë vendimin para një kohe për Kosovën dhe siç kam thënë edhe më herët ne kemi vendosur me njerëzit më të afërm, me ata e kemi biseduar vendimin tonë dhe në fund çfarë thonë të tjerët janë mendimet e tyre. Unë jam në rregull çfarë ka thënë Graniti, ai është mendimi i tij, respekt për atë dhe karrierën e tij dhe vetëm suksese”, tha Hajdari në konferencë për media.
Hajdari shtoi se secili futbollist ka arsyet e veta për zgjedhjet që bën si në favor të Kosovës apo edhe kundër saj.
“Besoj se secili lojtar e ka pasur mendimin ose vendimin e vet për çka ka qenë për Kosovën ose kundër Kosovës. Ata që e kanë marr vendimin për Kosovën ne i bashkohemi e ata që nuk e kanë marr vendimin për Kosovën unë iu uroj vetëm suksese në shëndet dhe të gjitha të mirat”, theksoi Hajdari.
Granit Xhaka ka dhënë një intervistë për mediumin e njohur zviceran, “Blick” pak ditë më parë. Kapiteni i Zvicrës është pyetur edhe për vendimin e Leon Avdullahut dhe Albian Hajdarit që të luajnë për Kosovën e jo për Zvicrën. Ai ka lënë të kuptohet se Avdullahu e Hajdari nuk ishin afër që të siguronin vend startuesi te përfaqësuesja helvetike.
“Lojtarët me cilësi të tilla përfundimisht nuk janë diçka prej të cilës dëshiron të heqësh dorë. Nga perspektiva e tyre ka të bëjë me të qenit në gjendje të vlerësimit të statusit të tyre. A do t’ia dilnin të siguronin një vend startuesi te Zvicra brenda tri apo katër vjetësh? Kam dyshime për këtë, duke konsideruar se kush nuk po luan ende për ne, por është dukshëm më përpara në karrierë. Ardon Jashari është me ne për tri vjet dhe ka bërë vetëm katër paraqitje”, ka thënë Xhaka.
Ai ka theksuar se Leon Avdullahu ende nuk është në nivelin e Ardon Jasharit, lojtarit të Milanit.
“A është Leoni më përpara se Ardoni? Nuk mendoj kështu. Por ai është një lojtar i mirë, përndryshe nuk do të luante çdo ndeshje për Hoffenheimin. Ndoshta i mungonte pak durimi në lidhje me Zvicrën. Por në fund të fundit është vendimi i tyre të luajnë për Kosovën, që tani po paraqitet në nivel shumë të lartë”, ka theksuar Granit Xhaka.
Kosova luan të martë mbrëma në "Fadil Vokrri" në Prishtinë kundër Zvicrës, në ndeshjen e fundit të grupit në eliminatore për Botërorin 2026. Ndeshja nis nga ora 20:45. Kosova e ka siguruar barazhin, ndërsa nëse fiton me gjashtë gola dallim e siguron kualifikimin direkt në Botëror.