Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Çka deklaroi saktësisht Xhaka për Hajdarin e Avdullahun dhe si u befasuan gazetarët zviceranë?

Granit Xhaka

Pas përfundimit të pjesës së parë, një gazetar zviceran u afrua te gazetarët e KOHËS dhe i pyeti ata se pse shikuesit po fishkëllonin sa herë që Granit Xhaka e kishte topin. Pasi iu shpjegua që fishkëllimat kishin të bënin me një deklaratë të Xhakës për vendimin e Leon Avdullahut dhe Albian Hajdarit për të përfaqësuar Kosovën, gazetari zviceran e kishte të qartë dhe ia tha këtë kolegut të tij në tribunën e gazetarëve në “Fadil Vokrri”.

Gazetari ishte i “Blick”, pikërisht i mediumit të fuqishëm zviceran për të cilin Xhaka e dha deklaratën që i solli fishkëllima të vazhdueshme në Prishtinë, në “shtëpinë e tij”.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Deklarata ishte dhënë në fillim të javës së kaluar, enda pa iu bashkuar Xhaka përfaqësueses së Zvicrës dhe pas paraqitjes të shkëlqyer me Sunderlandin kundër Arsenalit.  

Ekipi i “Blick” e kishte vizituar Xhakën në shtëpinë e familjes së tij në Basel. Gjatë intervistës, Xhaka ishte pyetur nëse dhemb “largimi i Avdullahut dhe Hajdarit nga Federata e Futbollit e Zvicrës”.

33-vjeçari fillimisht foli për cilësinë e dy lojtarëve.

“Lojtarë me kualitetet e tyre janë përfundimisht diçka që nuk dëshiron të heqësh dorë. Nga perspektiva e tyre, çështja është të jenë në gjendje të vlerësojnë statusin e tyre”, kishte thënë fillimisht Xhaka, që kishte vazhduar të flas për dy lojtarët.

“A do t’ia dilnin të siguronin një pozitë të rregullt startuese te përfaqësuesja e Zvicrës në tri apo katër vjetët e ardhshme? Do ta vija në dyshim këtë, duke marrë për bazë se kush nuk po luan për ne momentalisht, por është më përpara në karrierën e tyre. Ardon Jashari ishte me ne për tri vjet dhe ka bërë katër paraqitje. A është Leoni më përpara se Ardoni? Nuk mendoj kështu. Por ai është një djalë i mirë, përndryshe nuk do të luante çdo ndeshje për Hoffenheimin. Ndoshta i ka munguar pak durimi në lidhje me Zvicrën. Por në fund të fundit është vendim i tyre që të luajnë për Kosovën, që tani po luan në nivel shumë të lartë”, kishte shtuar Xhaka. Jashari është pjesë e Milanit dhe luan në pozitë të ngjashme me Avdullahun.

Jo të gjitha mediat në Kosovë, e sidomos faqet e ndryshme në rrjete sociale, e interpretuan drejt e saktë deklaratën e Xhakës.

Jo të gjithë e përmendën faktin se Xhaka foli për kualitetet e Avdullahut dhe Hajdarit dhe deklaratën që Kosova po luante në nivel shumë të lartë.

Për këtë deklaratë të Xhakës u pyet edhe Hajdari në konferencë për shtyp para ndeshjes. Edhe deklarata e tij u shtrembërua. U shkrua se “vendimi për të luajtur për Kosovën u mor me zemër”, duke e bërë edhe më emocionale gjithë çështjen. E në fakt Hajdari nuk dëgjohet në konferencë duke përmendur “zemrën” kur pyetet për deklaratën e Xhakës.

Të mërkurën në mëngjes mediumet kryesore në Zvicër në ballinë i kishin shkrimet për “fishkëllimat ndaj Xhakës”. Ato jo rrallë e kanë kritikuar Xhakën, ndër të tjera për veprimet e tij në ndeshjet me Serbinë, që i bënë krenarë gjithë shqiptarët, por edhe për “ndeshjet vëllazërore” me Kosovën.