Futboll

Guardiola me fjalim të fuqishëm në mbështetje të fëmijëve palestinezë

Pep Guardiola

Foto: Associated Press

Pep Guardiola ka mbajtur fjalim të zjarrtë dhe të fuqishëm në përkrahje të fëmijëve palestinezë. Trajneri i njohur i futbollit ka kërkuar reagim. 

Trajneri i Manchester Cityt mungoi të premten në konferencën për shtyp, pasi foli në një koncert bamirësie në Barcelonë të enjten mbrëma. 

Guardiola u paraqit i mbështjellë me një shall, teksa fliste me dhimbje për vuajtjet e fëmijëve palestinezë. 

“Mirëmbrëma, selam alejkum, sa e mrekullueshme”, tha 55-vjeçari në këtë ngjarje. 

“Kur shoh një fëmijë në këto dy vjetët  e fundit në rrjetet sociale, në televizione, duke e incizuar veten dhe duke kërkuar nënën e tyre në mes të rrënojave dhe ende nuk e di, gjithmonë mendoj: Çfarë mund të mendojnë ata? Dhe mendoj se i kemi lënë të vetëm, të braktisur. Gjithmonë i imagjinoj duke thënë: Ku jeni? Ejani na ndihmoni. Dhe edhe në këtë kohë, ne nuk e kemi bërë këtë. Ndoshta ata që kanë fuqi janë frikacakë, sepse ata dërgojnë të rinj të pafajshëm, për të vrarë njerëz të pafajshëm”. 

Guardiola ka kërkuar “hap para” dhe bëri një, siç e quajti, “deklaratë për Palestinën dhe deklaratë për njerëzimin”. 

Manchester City ka thënë se Guardiola do të mungojë në konferencën për shtyp të premten për arsye personale, kurse Pep Lijnders e zuri vendin e tij për të folur për duelin ndaj Tottenhamit që luhet të dielën.