Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës përballet me probleme në funksionim

Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës - Kurti

Raporti i vlerësimit të Ligjit për Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës ka evidentuar mangësi në funksionimin dhe përmbushjen e mandatit të tij. Dokumenti tregon se mungesa e stafit të specializuar, burimeve financiare dhe bashkëpunimit ndërinstitucional kanë penguar dokumentimin dhe ruajtjen e provave për krimet e luftës. Grupi që ka hartuar vlerësimin ka rekomanduar ndryshimin e ligjit, fuqizimin e kapaciteteve të Institutit dhe vendosjen e mekanizmave të detyrueshëm të bashkëpunimit me institucionet publike dhe sistemin e drejtësisë

Një listë problemesh që kanë sfiduar funksionimin normal të Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës, janë listuar në raportin e vlerësimit ex-post që i është bërë ligjit për këtë institut.

Dokumenti ka analizuar dispozitat kyç të ligjit, dhe funksionalitetin institucional, dhe pajtueshmërinë me pjesën tjetër të legjislacionit, si dhe ka identifikuar “kufizime të dukshme” në nivelin e zbatimit praktik, mungesën e burimeve dhe vonesat në implementim.

“Instituti nuk ka arritur të përmbushë objektivat e tij të plota për dokumentimin dhe ruajtjen e provave për krimet e luftës. Mungesa e bashkëpunimit të detyrueshëm nga personat fizikë, personat juridikë, si dhe organet dhe institucionet publike dhe subjektet private, si dhe mungesa e standardeve të përcaktuara për qasje dhe ruajtje të dokumentacionit, kanë ndikuar negativisht në realizimin e plotë të misionit të tij”, thuhet në dokumentin e hartuar nga Qeveria.

Në të theksohet se ekzistojnë mospërputhje të konsiderueshme ndërmjet qëllimit të ligjit dhe strukturës së tij aktuale. Po ashtu, thuhet se dispozitat për funksionimin e institucionit dhe për shkëmbimin e informacioneve “nuk janë të lidhura sa dhe si duhet në mënyrë funksionale dhe koherente me kuadrin institucional ekzistues”.

Si problem paraqitet edhe funksionaliteti.

“Për shkak të mungesës së mjaftueshme të personelit të specializuar, resurseve të kufizuara dhe mbështetjes së pamjaftueshme financiare, kostoja e zbatimit është rritur, ndërsa ndikimi ka mbetur i kufizuar. Kjo ka krijuar barrë administrative dhe vonesa të panevojshme në realizimin e disa objektivave të ligjit edhe përkundër progresit që është arritur deri më tani”, thuhet në këtë vlerësim ex-post.

Në dokumentin që rekomandon edhe ndryshimin e ligjit, janë trajtuar në detaje çështjet e ngritura.

Në të është konstatuar se ligji nuk është plotësisht i harmonizuar me aktet ligjore përkatëse si: Ligjin për Arkivat, Ligjin për Qasjen në Dokumente Publike, Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Ligjin për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe Agjencive të Pavarura, Ligjin për Administrimin e Punës në Zyre dhe Ligjin për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar.

“Po ashtu, në Ligjin NR. 08/L-111 për Arkivat nuk është përcaktuar që edhe Instituti e ka arkivin e tij special andaj është e nevojshme të ndryshohet ky ligj. Gjithashtu, të plotësohet dhe ndryshohet Rregullorja (QRK) NR.08/2023, për Shtesat për të Punësuarit në Sektorin Publik, të shtohet edhe kategorizimi i nëpunësve me rrezik specifik në punë që rrezikojnë shëndetin”, thuhet në dokument.

Përpos rekomandimeve që janë dhënë për ndryshimin e një numri të dispozitave, është kërkuar edhe veprim në funksion të zbatimit të ligjit aktual.

“Funksionalizimi i plotë i institucionit ka pësuar vonesa për shkak të paqartësive ligjore dhe mungesës së resurseve në fillim të zbatimit të ligjit. Ende mungon një arkiv special, struktura organizative nuk është funksionalizuar në mënyrë të plotë, dhe procedurat për menaxhimin e dokumentacionit duhet të zhvillohen akoma më shumë”, thuhet në dokument.

Në vlerësimin ex-post është kërkuar edhe fuqizimi i Institutit dhe rritja e kapaciteteve të tij.

“Sigurimi i fondeve të mjaftueshme dhe rekrutimi i stafit të specializuar për Institutin, duke përfshirë ekspertë të fushës së drejtësisë penale ndërkombëtare, arkivistikës dhe dokumentimit të krimeve të luftës”, është një nga rekomandimet. “Mbështetje për zhvillimin e trajnimeve të specializuara për stafin e Institutit, së bashku edhe me organet e tjera që bashkëpunojnë për hulumtimin, dokumentimin, arkivimin dhe luftimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë (gjyqësori, prokuroria, policia, arkivat dhe agjencitë e sigurisë dhe ato të mbrojtjes së të dhënave personale dhe privatësisë)”, është tjetri.

Po ashtu, janë dhënë edhe dy rekomandime për bashkëpunim dhe transparencë ndërinstitucionale.

“Vendosja e mekanizmit ligjor të bashkëpunimit me të gjitha institucionet publike dhe ato të sistemit të drejtësisë për rastet që ndërlidhen me krimet e luftës, duke përfshirë dorëzimin e dokumentacionit relevant te Instituti edhe nga personat fizikë dhe ata juridikë, me qëllim të hulumtimit dhe dokumentimit të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë”, është njëri nga to. “Formalizimi i bashkëpunimit me sistemin e drejtësisë, për të mundësuar shkëmbimin e informacioneve, mbështetjen në hetime dhe proceset për organet e hetuesisë dhe drejtësisë sa i takon krimeve të kryera gjatë luftës përmes ofrimit të të dhënave dhe dokumenteve të nevojshme”, është rekomandimi tjetër.

Ligji, për të cilin është dhënë rekomandimi të ndryshohet, ka hyrë në fuqi në 2023-tën, me qëllimin për themelimin dhe funksionalizimin e Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, me mandat për të mbledhur, përpunuar, hulumtuar, dokumentuar, arkivuar ruajtur dhe publikuar të dhënat për krimet e kryera gjatë luftës, duke kontribuar në zbulimin e së vërtetës, drejtësisë për viktimat, dhe ruajtjen e kujtesës historike kolektive.