Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Rinovimi që duhej t’i përmirësonte kushtet e banimit përfundoi me zjarrin që la 168 të vdekur

Hong Kong

Sipas raportit, tragjedia ishte plotësisht e parandalueshme, por ndodhi si pasojë e një vargu gabimesh njerëzore, dështimesh në sigurinë kundër zjarrit, mashtrimesh të dyshuara dhe korrupsionit të mundshëm

Ishte një pasdite e së mërkurës me diell, 26 nëntori i vitit të kaluar, kur zonja Lau po merrte pjesë në një kurs vallëzimi në një qendër aktivitetesh pranë shtëpisë së vet.

Rreth orës 14:45, ajo dëgjoi në distancë sirenat e zjarrfikësve, por nuk u kushtoi shumë rëndësi.
Vetëm pak më vonë, kur filloi të merrte telefonata nga një shoqe, mësoi se kompleksi i banimit Wang Fuk Court, i përbërë nga tetë pallate dhe ku ajo kishte jetuar për 40 vjet, ishte përfshirë nga flakët. Bashkëshorti i saj, i cili lëvizte me karrocë invalidësh, kishte mbetur i bllokuar brenda banesës.
“Rrëmbeva shpejt gjërat e mia dhe zbrita me vrap, pa i veshur as këpucët siç duhet”, i tha BBC-së zonja Lau, e cila kërkoi të identifikohej vetëm me mbiemrin.

Kur mbërriti atje, ndërtesat ishin rrethuar nga policia.

Ajo telefonoi bashkëshortin 74-vjeçar, por ai i tha të mos shqetësohej. Meqë nuk kishte dëgjuar asnjë alarm, mendonte se bëhej fjalë për një zjarr të vogël.

Zonja Lau mundi vetëm të shikonte e pafuqishme, ndërsa flakët përfshinin Wang Fuk Court, duke u përhapur me një shpejtësi maksimale prej rreth 10 metrash në sekondë.

Ky ishte një ritëm “i paprecedentë”, sipas raportit përfundimtar të publikuar nga një komision i pavarur lidhur me zjarrin tragjik, ku humbën jetën 168 persona.

Sipas raportit, tragjedia ishte plotësisht e parandalueshme, por ndodhi si pasojë e një vargu gabimesh njerëzore, dështimesh në sigurinë kundër zjarrit, mashtrimesh të dyshuara dhe korrupsioni të mundshëm.

“Ishte e tmerrshme… Pashë zjarrin të kalonte nga një ndërtesë në tjetrën dhe më pas shpërtheu një top i madh flakësh. Ishte vërtet ferr mbi tokë. Si mund të shpëtonte dikush prej andej?”, tha zonja Lau.

Ajo u përpoq ta telefononte sërish bashkëshortin. Këtë herë, ai nuk u përgjigj.

Trupi i Lau Man Kwong u gjet më vonë nga ekipet e shpëtimit. Ai ishte mbyllur brenda banjës.

“Mbante pantoflat, ishte ulur në tualet dhe shtrëngonte kartën e identitetit”, tha bashkëshortja e tij, e cila shtoi se vetë i kishte shpëtuar vdekjes “për një fije floku”.

“Do të isha kapur pas bashkëshortit tim dhe do të kisha vdekur bashkë me të. Ai ishte njeri shumë i mirë. Thjesht nuk e kuptoj pse duhej të vdiste në një mënyrë kaq të tmerrshme”, tha ajo.

Lau dhe bashkëshortja e tij ishin vendosur në Wang Fuk Court në vitin 1983, pikërisht vitin kur përfundoi ndërtimi i kompleksit.

Ajo kujton një jetë idilike, me një familje prej tre fëmijësh, të cilët u rritën pranë detit dhe kalonin fundjavat duke luajtur në një park aty pranë.

“Të tre fëmijët e mi e adhuronin babanë e tyre… Ai mund të ishte shumë i rreptë dhe unë isha e vetmja grua që arrija ta bëja të qeshte”, rrëfeu ajo.

Pa rrugëdalje

Në vitin 2024, në Wang Fuk Court nisën punimet e detyrueshme për rinovimin e ndërtesave.

Në Hong-Kong, të gjitha ndërtesat më të vjetra se 30 vjet duhet t'i nënshtrohen një inspektimi dhe, nëse është e nevojshme, punimeve për rinovimin e tyre.

Ashtu si shumë komplekse banimi në Hong-Kong, edhe Wang Fuk Court kishte një komitet administrues, përgjegjës për mbikëqyrjen e çështjeve si riparimet e ndërtesave.

Plot 57 kompani ndërtimi paraqitën oferta për projektin. Megjithatë, kontratën e fitoi kompania Prestige Construction and Engineering (PC&E), e cila kishte paraqitur ofertën më të shtrenjtë, prej 336 milionë dollarësh hongkongas apo 42.8 milionë dollarë amerikanë. 

Banorët, shumë prej të cilëve ishin mbi 65 vjeç, duhej të përballonin vetë kostot. Faturat e larta shkaktuan protesta, por në fund kontrata u nënshkrua.

Megjithatë, pasi punimet nisën në korrik të vitit 2024, banorët filluan të shprehnin pakënaqësitë e tyre.

Një nga ankesat ishte se punëtorët pinin vazhdimisht duhan në kantier dhe hidhnin bishtat e cigareve gjithandej.

Raporti prej 1.154 faqesh sugjeron se zjarri mund të jetë shkaktuar nga një cigare e ndezur.
Banorët ankoheshin gjithashtu se dritaret e shumicës së tetë ndërtesave të Wang Fuk Court ishin mbuluar me pllaka shkume, për të penguar hyrjen e mbeturinave nga punimet. Kjo ua kishte bllokuar dritën e diellit dhe çdo pamje nga jashtë për muaj të tërë.

Të tetë ndërtesat ishin mbuluar gjithashtu me rrjeta mbrojtëse dhe skela bambuje.

Raporti zbuloi se, pasi tajfunet dëmtuan rrjetat origjinale të skelave në vitin 2025, u zgjodhën zëvendësuese më të lira, të cilat nuk ishin rezistente ndaj zjarrit. Kjo u bë si një masë për uljen e kostove, në dëm të sigurisë së banorëve.

Banorët kishin paraqitur afro 140 ankesa pranë gjashtë departamenteve qeveritare, përfshirë shërbimin zjarrfikës dhe departamentin e ndërtesave, gjatë vitit 2024 dhe më pas. Megjithatë, sipas raportit, shumica e tyre u shpërfillën.

Raporti zbuloi gjithashtu se një punonjës i kompanisë ISS, përgjegjëse për administrimin e kompleksit, kishte ndërprerë furnizimin me energji elektrike të sistemeve të alarmit kundër zjarrit në të tetë ndërtesat. Kjo ishte arsyeja pse alarmet nuk ranë ditën e tragjedisë.

ISS i tha më vonë BBC-së se kishte “rishikuar dhe forcuar procedurat e saj, si dhe trajnimet e punonjësve” në Hong-Kong, duke shtuar se i merrte “shumë seriozisht” përfundimet e raportit.

Por edhe për ata që arritën të largoheshin nga banesat, shkallët e emergjencës rezultuan një tjetër kurth vdekjeprurës.

Dritaret në disa prej shkallëve të evakuimit nga zjarri ishin hequr për të krijuar hapësira të përkohshme për punëtorët. Kjo lejoi hyrjen e tymit dhe bllokoi rrugët jetike të shpëtimit.

Dhjetëra persona, përfshirë bashkëshortin e Christyt, humbën jetën në këto shkallë.

Christy, e cila kërkoi të identifikohej vetëm me emrin e saj të parë, thotë se bashkëshorti ndodhej i vetëm në shtëpi kur shpërtheu zjarri.

Ajo mori vesh për ngjarjen vetëm pasi miqtë i dërguan mesazhe. Kur mbërriti në kompleksin e banimit, zona ishte tashmë e rrethuar nga policia.

Më vonë mësoi se bashkëshorti kishte vdekur nga asfiksia e shkaktuar nga tymi në shkallët e ndërtesës. Ajo thotë se ky fakt i sjell të paktën njëfarë ngushëllimi.

“Trupi i bashkëshortit tim do të ishte djegur dhe ai do të kishte vuajtur më shumë nëse do të kishte mbetur në banesë. Të paktën… vuajtjet e tij ishin minimale”, thotë ajo.

Christy tregon se familja kishte festuar ditëlindjen e nëntë të fëmijës së tyre të madh vetëm një ditë para tragjedisë. Kishin ruajtur një pjesë të tortës së mbetur në frigorifer, për ta ngrënë të nesërmen.

Por babai i tyre nuk arriti ta shijonte kurrë.

Të dy fëmijët janë prekur thellë nga humbja e babait.

Fëmija i saj më i vogël, një djalë shtatëvjeçar, kishte “mbuluar veshët dhe kishte bërtitur” kur i treguan për herë të parë se çfarë i kishte ndodhur të atit.

Tani ai shpesh përpiqet ta ngushëllojë të ëmën, duke i thënë se do të kujdeset për të, pasi është i vetmi burrë në familje.

“Ai i fsheh emocionet e tij. Një fëmijë shtatëvjeçar nuk duhet të sillet në këtë mënyrë dhe kjo ma copëton zemrën”, thotë Christy, e cila vetë është diagnostikuar me çrregullim të stresit post-traumatik (PTSD) dhe depresion.

Vajza e saj, thotë ajo, ka mendime “ekstreme” dhe i shpreh emocionet përmes artit. Të mërkurën ajo mbushi 10 vjeç, por këtë vit nuk pati asnjë festë ditëlindjeje.

Sipas Christyt, kjo ditë do të shërbejë tani e tutje për të përkujtuar të atin.

Manipulimi i tenderit dhe firmat formale

Problemet në Wang Fuk Court kishin nisur shumë kohë përpara fillimit të punimeve të rinovimit.
Sipas Komisionit të Pavarur Kundër Korrupsionit të qytetit (ICAC), kompania e administrimit e kontraktuar për të mbikëqyrur projektin, Will Power, kishte bashkëpunuar me PC&E për të mashtruar banorët e Wang Fuk Court.

Megjithëse PC&E ishte konstatuar se kishte shkelur kërkesat e sigurisë dhe rregullat e departamentit të ndërtesave në disa projekte të mëparshme, pronarëve të banesave në Wang Fuk Court u ishte thënë se kompania kishte një historik të pastër.

ICAC dyshon se kjo ishte pjesë e një skeme fitimprurëse, në të cilën drejtori i Will Power, Wong Hap-yin, së bashku me persona të tjerë, kishin pastruar mbi pesë milionë dollarë nga të ardhurat e dyshuara të paligjshme të procesit të tenderimit në Wang Fuk Court dhe projekte të tjera banimi.
Pasi PC&E siguroi kontratën, inspektori i regjistruar i Will Power, personi që duhej të mbikëqyrte punimet, thjesht vendoste firmat dhe vulat në dokumente, pa kryer personalisht asnjë inspektim, shton raporti.

Kompania Will Power është likuiduar që atëherë, ndërsa PC&E nuk mund të kontaktohej për të dhënë një përgjigje.

Të dyja kompanitë, Will Power dhe PC&E, si dhe shtatë persona, janë akuzuar për 25 vepra penale, përfshirë vrasje nga pakujdesia, komplot për mashtrim, përpjekje për pengimin e drejtësisë dhe evazion fiskal.

Katër prej tyre ndodhen ende në paraburgim, por asnjë nga çështjet nuk ka shkuar ende në gjyq.

Raporti i cilësoi të dyja kompanitë e përfshira si “fajtorët kryesorë përgjegjës”.

Megjithatë, ai kritikoi ashpër edhe autoritetet, duke theksuar se “asnjë departament qeveritar nuk mori përgjegjësinë efektive për çështjet e ndryshme të sigurisë kundër zjarrit, ndërsa ankesat për rreziqet nga zjarri mbetën pa adresim”.

Një ekspert, profesori John Burns nga Universiteti i Hong-Kongut, e kishte cilësuar tragjedinë si “krizën më të madhe të qeverisjes” me të cilën janë përballur autoritetet që nga viti 2020. Ai i referohej Ligjit të diskutueshëm për Sigurinë Kombëtare, i miratuar atë vit.

Ditën kur u publikua raporti, pothuajse një vit pas zjarrit, ministrja e Strehimit e Hong-Kongut, Winnie Ho, dha dorëheqjen, ndërsa udhëheqësi kryesor i qytetit, John Lee, kërkoi falje për herë të parë dhe premtoi se do të ndërmerrej një “numër i madh” reformash.

Një shtëpi e kthyer në guaskë

Pesë muaj pas zjarrit, zonja Lau u lejua të hynte për herë të parë në apartamentin e saj, për të marrë sendet personale që mund të kishin mbetur.

Gjatë vizitës së parë, asaj iu dhanë vetëm tri orë kohë për të nxjerrë sendet e grumbulluara gjatë 40 vjetëve.

Fotografitë e realizuara gjatë vizitës tregojnë një shtëpi të shkatërruar plotësisht nga zjarri, me të gjitha sipërfaqet të nxira dhe dyshemenë të mbuluar nga bloza.

“Pothuajse më ra të fikët kur pashë se në çfarë gjendjeje ishte katandisur shtëpia ime. Nuk e kuptoj se si shtëpia që kisha ndërtuar, një shtëpi kaq e ngrohtë dhe e bukur, mund të përfundonte në këtë mënyrë”, tha zonja Lau.

Fëmijët e saj, të cilët e shoqëruan, e përshkruan banesën si një “zonë lufte”.

Mes rrënojave, ata gjetën copëza të thyera të një derrkuci kursimi, në të cilin zoti Lau kishte hedhur me përkushtim monedha çdo ditë për 20 vjetët e fundit.

“Të gjithë në familjen tonë e dinin se ishte sendi i tij i preferuar. Derrkuci i kursimeve vdiq bashkë me të”, tha zonja Lau.

Ajo dhe vajza e saj kanë marrë me qira një banesë aty pranë, ku jetojnë që prej asaj kohe. Megjithatë, zonja Lau është e shqetësuar se si do të arrijë të përballojë blerjen e një shtëpie të re.

Qeveria ka deklaruar se do të shpenzojë 867 milionë dollarë amerikanë për të kompensuar apartamentet e prekura nga zjarri. Por zonka Lau thotë se kjo shumë nuk është aspak e mjaftueshme për të blerë një banesë me përmasa të ngjashme në atë zonë.

Megjithatë, sipas saj, familja e saj ishte në një gjendje më të mirë se shumë të tjera.

“A duhet të them se jemi me fat? Unë humba bashkëshortin, por shumë familje humbën disa anëtarë të familjes… Vdiqën edhe foshnja më pak se njëvjeçare”. 

Janë bërë publike edhe historitë e disa prej viktimave të tjera. Mes tyre ishte një foshnjë gjashtëmuajshe, e cila humbi jetën së bashku me gjyshen e saj 68-vjeçare kur shpërtheu zjarri.

Trupat e një ndihmëseje shtëpiake nga Indonezia dhe të të moshuarit për të cilin ajo kujdesej u gjetën të përqafuar me njëri-tjetrin.

Sa i përket Christyt, ajo thotë se po planifikon të ngrejë një padi kundër personave përgjegjës për zjarrin, por pranon se edhe nëse fiton, nuk mund ta “kthejë jetën e bashkëshortit të saj”.

“Unë vazhdoj t'i tregoj gjërat që ndodhin në jetën tonë të përditshme, sikur ai të ishte ende këtu”, thotë ajo. “Shpesh i shkruaj: ‘Më mungon shumë. A je mirë atje, në botën tjetër?’”.

Njësoj ndihet edhe zonja Lau, e cila thotë se nuk mund të shkojë askund pa iu kujtuar bashkëshorti.

“Çdo ditë ka diçka që ma kujton atë”, tha ajo.

“Ende e kam shumë të vështirë ta pranoj se bashkëshorti im nuk është më, se shtëpia ime është zhdukur dhe se kaq shumë nga fqinjët e mi nuk jetojnë më… Ky vend ishte rrënja ime. Nuk e kisha imagjinuar kurrë se do të shënonte edhe fundin e një epoke për mua”.