(20:00) - Futbollistet e Kosovës kanë pësuar tjetër humbje të thellë në kualifikimet për në “Euro 2025”.
Kosova e drejtuar nga selektorja Karin Anneli Andersen u mposht me rezultatin 4:0 të premten mbrëma, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Fusha e stadiumit të kryeqytetit, të vetmit në vend që i plotëson gjitha kriteret për ndeshje ndërkombëtare, ishte në rinovim për një kohë të gjatë.
Dhe në ndeshjen e parë që prej 21 nëntorit të vitit të kaluar kur Kosova ishte mposhtur nga Bjellorusia në kualifikimet për në “Euro 2024”, “Dardanet” u mposhtën thellë.
Të gjitha katër golat, ukrainaset i shënuan në pjesën e parë.
Daryna Apanaschenko në minutën e tretë, Tamila Khimich në minutën e tetë, Olha Basanska në minutën e 21-të dhe Roksolana Kravchuk gjashtë minuta më vonë, i shënuan golat e fitores.
Kjo është njëra prej humbjeve më të thella.
Kosova në Grupin 4 të Ligës B të Ligës së Kombeve mbetet në pozitën e fundit pa pikë, me 15 gola të pranuar e asnjë të shënuar.
Ndeshjen e fundit të këtij cikli kualifikues, Kosova e luan në udhëtim tek Uellsi më 16 korrik.
Ende as gjysmë ore lojë, Kosova pëson 4:0
(18:28) - Kosova po shkatërrohet nga Ukraina. Në minutën e 27-të, Ukraina ka shënuar për 4:0 në fushën e stadiumit “Fadil Vokrri”.
Kjo mund të bëhet humbja më e thellë në histori e Kosovës.
Ndeshja i takon kualifikimeve për “Euro 2025”.
Kosova i pëson dy gola të shpejtë
(18:15) - Futbollistet e Kosovës po kanë telashe të mëdha në fillim të ndeshjes me Ukrainën. Në “Fadil Vokrri”, Kosova po pëson 2:0.
Daryna Apanaschenko shënoi që në minutën e tretë për Ukrainën. Më pas realizoi edhe Tamila Khimich.
Kosova ndërkohë dërgoi topin në rrjetë, por u dha faul.