Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Frikë në miqësore, Musiala kolapson në fushë

Jamal Musiala

Jamal Musiala ka kolapsuar në fushë në miqësoren që Bayern Munichu e ka luajtur ndaj Leipzigut të shtunën. Bavarezët fituan me rezultatin 3:1 në ndeshjen ku shënoi edhe Brajan Gruda, por rezultati mbeti në plan të dytë. 

Ka qenë bashkëlojtari i Musialas, marokeni Ismael Saibari, ai i cili e pa situatën dhe vrapoi shpejtë për ta kapur talentin gjerman, para se ai të binte në tokë. 

Kjo dyshe bashkëveproi kur u shënua goli i tretë pikërisht nga Musiala, në minutën e 81-të. 

Ngjarja frikësuese në “Allianz Arena” ndodhi vetëm dy minuta më vonë. 

Temperaturat ishin të larta, deri në 33 gradë Celsius. 

Nga pamjet e publikuara u pa që Musiala dukej i çorientuar dhe i hutuar, teksa ishte në pritje të nisjes së ndeshjes pas golit të shënuar. 

Vetëm pak çaste më vonë, ai nuk arriti të qëndronte në këmbët e veta dhe u shtri përtokë, me ndihmën e Saibarit dhe Joshua Kimmichut. 

Stafi mjekësor ka vrapuar në fushë, ndërsa tifozët në stadium ishin të habitur dhe në pritje. 

23-vjeçari pasi e mori ndihmën e parë, u zëvendësua dhe ai u përcoll jashtë fushës me duartrokitje. 

Pati edhe çlirim te tifozët, pasi stafi mjekësor dha shenjën se gjithçka është në rregull me të. Musiala u largua nga fusha, ndërsa tifozët thirrën emrin e tij.

Tifozët e Bayernit tani janë në pritje të lajmit për Musialan nëse ai do të jetë në gjendje të mirë shëndetësore për ta nisur kampanjën e re. Musiala ishte i pafat edhe në prag të nisjes së sezonit të kaluar, kur e theu këmbën. 

Ai lëndim e mbajti atë jashtë fushës për më shumë se gjashtë muaj dhe e la me vetëm 15 paraqitje në ligë në edicionin e kaluar. 

Luis Diaz shënoi për epërsinë 1:0 të Bayernit në minutën e 13-të, ndërsa Gruda, mesfushori shqiptar me tipare sulmuese, realizoi gol shumë të bukur në minutën e 52-të për 1:1. 

Nathaniel Broën shënoi për 2:1 në minutën e 57-të, ndërsa Musiala realizoi më pas për 3:1. 
Bavarezët do ta kenë edhe një miqësore me Heidenheimin më 18 gusht, para Superkupës së Gjermanisë ndaj Dortmundit më 22 gusht. 

Bayern Munichu e nis Bundesligën me ndeshjen ndaj Stuttgartit më 28 gusht, kurse Leipzigu përballet me Borussia Monchengladbachun.

Drejtori sportiv i Bayernit flet për gjendjen e Musialas

3 min. më parë / 15 gus 2026 19:54
Drejtori sportiv i Bayernit flet për gjendjen e Musialas

Drejtori sportiv i Bayern Munichut, Max Eberl, ka folur pas ndeshjes për gjendjen shëndetësore të Jamal Musialas, që kolapsoi në fushë në minutën e 83-të. 

Eberl ka dhënë lajme pozitive. 

“Ai është mirë, kjo është gjëja më e rëndësishme”, ka thënë Eberl pas ndeshjes, shkruan “Bild”.