Futboll

Flick: Garcia është ndër portierët më të mirë në botë

Joan Garcia

Barcelona të shtunën mbrëma e fitoi derbin lokal ndaj Espanyolit me rezultatin 2:0. Ndeshja dramatike i takoi xhiros së 18-të të La Ligas.

Në fitoren e Barçës u dallua portieri spanjoll, Joan Garcia, i cili bëri disa super-pritje.

Garcia pikërisht nga Espanyoli u transferua te Barça në verë për 25 milionë euro.

Kthimi i Garcias në stadiumin ku ka luajtur më herët nuk u prit mirë nga tifozët e zjarrtë të Espanyolit. Kishte shumë fishkëllima nga tifozët drejtuar portierit të Barçës.

Por 24-vjeçari ishte më meritori që skuadra e madhe fitoi pikët e plota.

Trajneri i Barçës, Hansi Flick, pas ndeshjes deklaroi se Garcia është prej portierëve më të mirë në botë.

“Gjëja e parë që duhet të bëj është të falënderoj Joan Garcian. Ai është një nga portierët më të mirë në botë. Ne vuajtëm, por morëm tre pikët. Mendoj se Garcia nuk do ta harrojë faktin që jetoi këtu. Ai  luajti për Espanyolin dhe ia dhanë mundësinë. Tani ai luan për ne dhe ishte një nga arsyet e fitores. E pashë të qetë, si gjithmonë. I përqendruar, i bindur”, u shpreh Flick.

Barça fitoi me vështirësi, me golat që i shënuan Dani Olmo në minutën e 86-të dhe katër minuta më pas Robert Lewandowski. Në të dy gola ishte i përfshirë mesfushori spanjoll, Fermin Lopez, që dhuroi dy asistime.

Barcelona i ka 49 pikë në vendin e parë në La Liga.