Futboll

FFK-ja nuk deklarohet për refuzimin e ankesës nga CAS-i

Kosova

Më 13 shkurt Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) kishte refuzuar ankesën e Federatës së Futbollit të Rumanisë ndaj vendimit të UEFA-s për ndeshjen e ndërprerë me Kosovën.

Të njëjtën ditë Federata e Futbollit e Rumanisë lëshoi një njoftim me pak rreshta. Bëri të ditur që ankesa e saj në CAS është refuzuar.

Gjykata me seli në Llozanë të Zvicrës të hënën lëshoi njoftimin për refuzimin e ankesës së Federatës së Futbollit të Kosovës të bërë ndaj federatës rumune dhe UEFA-s. Por FFK-ja nuk ka njoftuar fare për këtë vendim. Të paktën këtë nuk e ka bërë deri të mërkurën pasdite.

Nuk ka ndonjë njoftim apo qëndrim zyrtar të Federatës së Futbollit të Kosovës për vendimin e CAS-it që e lë në fuqi vendimin e UEFA-s për ta regjistruar ndeshjen e ndërprerë me Rumaninë me rezultat 3:0 në të mirë të rumunëve.

KOHA i ka shkruar FFK-së të martën, por po ashtu nuk mori përgjigje.

FFK-ja kishte njoftuar më 5 dhjetor se “ka proceduar në CAS ankesën ndaj vendimit për ndeshjen Rumani – Kosovë”. Federata kishte shprehur besimin e plotë se “CAS-i do të marrë vendim të drejtë e meritor”.

Ndeshja e 15 nëntorit të vitit të kaluar, e zhvilluar në Bukuresht, ishte ndërprerë në minutat e fundit. Fillimisht lojtarët patën përplasje në fushë e ndërkohë nga tribunat u dëgjuan thirrje “Serbia, Serbia”. Në shenjë revolte, lojtarët e Kosovës lëshuan fushën dhe refuzuan të kthehen edhe kur këtë ua kërkoi arbitri.

Dhe Gjykata e Arbitrazhit sportiv ka vlerësuar se fajin për ndërprerjen e ndeshjes e kanë lojtarët e Kosovës, përkatësisht Federata e Futbollit e Kosovës.

“Paneli shqyrtoi provat dhe arriti në përfundim se lojtarët e Kosovës morën vendim të njëanshëm për të lënë fushën, në mungesë të një udhëzimi të vlefshëm nga gjyqtari, dhe ishin përgjegjës për ndërprerjen e ndeshjes. Paneli pranoi se vendimi i lojtarëve të Kosovës u mor për shkak të disa brohoritjeve. Ndërsa ato ishin të papranueshme dhe ishin subjekt i sanksioneve të tjera nga UEFA, ato nuk mund të justifikojnë braktisjen e fushës nga ekipi kombëtar i Kosovës. I takonte gjyqtarit të vendoste për hapat që duheshin ndërmarrë”, shkruan në vendimin e CAS-it të publikuar të hënën.

Pra CAS-i e vërtetoi atë që e kishte vendosur UEFA. Ndeshja i takoi Rumanisë me rezultat zyrtar, ndërsa rumunët u dënuan me 128 mijë euro për shkeljet e bëra.

Sipas vendimit të CAS-it, lojtarët e Kosovës është dashur të ktheheshin në fushë kur këtë ua kërkoi arbitri. Dhe për këtë Federata kosovare e jo ajo rumune ishte përgjegjëse për mospërfundimin e ndeshjes.

KOHA kishte mësuar se ishin lojtarët që insistuan të mos ktheheshin në fushën e lojës, ndonëse drejtuesit kryesorë të Federatës ua kërkuan fillimisht këtë, të vetëdijshëm që vendimi në tavolinë mund të mos ishte në favorin e tyre. Por lojtarët, të përkrahur nga tashmë një ish-zyrtar i Federatës, refuzuan të ktheheshin, duke vlerësuar se thirrjet e tifozëve rumunë ishin të papranueshme dhe të dënueshme. Arbitri kërkoi nga lojtarët e Kosovës të ktheheshin në fushë, duke vlerësuar se ka kushte për vazhdimin e lojës. Por kërkesa e tij nuk u respektua, ndërsa në fund me vendimin e lojtarëve u pajtuan të gjithë drejtuesit e FFK-së. Dhe tashmë ndeshja mbetet e regjistruar me rezultat zyrtar, 3:0, në të mirë të Rumanisë.