Futboll

CAS-i refuzon ankesën e Kosovës për ndeshjen me Rumaninë

Kosova - Rumania

Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) ka rrëzuar ankesën e Federatës së Futbollit të
Kosovës kundër Federatës Rumune të Futbollit dhe UEFA-s.

Vendimin, gjykata me seli në Llozanë të Zvicrës e publikoi të hënën. FFK-ja ishte ankuar lidhur me ndeshjen e 15 nëntorit të vitit të kaluar ndaj Rumanisë. FFK-ja, sipas vendimit, ka kërkuar që UEFA ta mbajë Federatën e Futbollit të Rumanisë përgjegjëse për ndërprerjen e ndeshjes në Bukuresht si dhe të anulojë gjobën prej 6000 eurosh. 

Ndeshja e Ligës së Kombeve mes Rumanisë e Kosovës ishte ndërprerë në minutat e fundit kur rezultati ishte 0:0. Pas disa përplasjeve të lojtarëve në fushë, një grup i tifozëve rumunë nisën thirrjet “Serbia, Serbia”. Lojtarët e Kosovës vendosën të lëshojnë fushën dhe nuk u kthyen edhe kur këtë ua kërkoi gjyqtari i ndeshjes. 

Menjëherë më 20 nëntor, UEFA e regjistroi ndeshjen me rezultat zyrtar 3:0 në të mirë të Rumanisë.
UEFA e dënoi Rumaninë me 128 mijë euro për shkelje të ndryshme në atë ndeshje. Ndërkohë FFK-ja u
gjobit me 6000 euro.

Por edhe CAS-i, njëjtë si UEFA, ka vlerësuar se loja u ndërpre për shkak se futbollistët e Kosovës e lëshuan njëanshëm fushën e lojës. 

“Paneli shqyrtoi provat dhe arriti në përfundim se lojtarët e Kosovës morën vendim të njëanshëm për të lënë fushën, në mungesë të një udhëzimi të vlefshëm nga gjyqtari, dhe ishin përgjegjës për ndërprerjen e ndeshjes. Paneli pranoi se vendimi i lojtarëve të Kosovës u mor për shkak të disa brohoritjeve. Ndërsa ato ishin të papranueshme dhe ishin subjekt i sanksioneve të tjera nga UEFA, ato nuk mund të justifikojnë braktisjen e fushës nga ekipi kombëtar i Kosovës. I takonte gjyqtarit të vendoste për hapat që duheshin ndërmarrë”, shkruan në vendimin e CAS-it, të publikuar të hënën.

Pra përgjegjës për ndërprerjen e ndeshjes, njëjtë si UEFA, CAS-i i lë lojtarët e Kosovës. Dhe rezultati 3:0 në të mirë të Rumanisë mbetet në fuqi. 

Në fakt as që është pritur që CAS-i të ndryshojë vendimin e UEFA për shkak të mënyrës se si rrodhën gjërat gjatë ndeshjes dhe pas saj.

“Paneli vuri në dukje se lojtarët e Kosovës refuzuan qartë të ndiqnin udhëzimet e gjyqtarit që të ktheheshin në fushë dhe të vazhdonin ndeshjen. Paneli vendosi që FFK-ja e jo federata rumune ishte përgjegjëse për mospërfundimin e ndeshjes. Ankesa e FFK-së hidhet poshtë dhe vendimi i kontestuar mbështetet”.

Gjykata e Arbitrazhit Sportiv ka përkujtuar që ka hedhur poshtë edhe ankesën e Federatës së Futbollit të Rumanisë, për dënimet që ia kishte ndarë UEFA për shkeljet e bëra në ndeshjen me Kosovën. Dënimi i UEFA-s për Rumaninë prej 128 mijë eurosh mbeti në fuqi edhe me vendim të CAS-it.