Futboll

Federata suedeze raporton në polici kërcënimet pas humbjes nga Kosova

Suedia-Kosova

Suedia pati një nisje të vështirë të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026. Barazoi 2:2 kundër Sllovenisë dhe më pas pësoi humbje 2:0 nga Kosova të hënën në “Fadil Vokrri”, në Prishtinë. 

Disfata nga Kosova në Suedi u përjetua rëndë. U përdorën mediat sociale për të sulmuar lojtarët dhe drejtuesit e ekipit përfaqësues.

Federata Suedeze e Futbollit të mërkurën ka identifikuar komentuesit dhe do t’i drejtohet policisë për kërcënime dhe fyerje raciste. 

“Ka shumë që e kalojnë vijën, por jo të gjithë janë automatikisht të dënueshëm. Më shumë është në aspektin e vrazhdësisë – por një numër i tyre e kalojnë vijën duke u futur në kërcënime dhe ngacmime të paligjshme. Këto janë komentet që po i analizojmë tani dhe që do t’i raportojmë në polici. Janë shumë më tepër se që duhet. Është përgjegjësia jonë të sigurohemi që lojtarët dhe drejtuesit tanë të ndiejnë mbështetjen tonë”, thotë menaxher i sigurisë, Martin Fredman, për “Fotbollskanalen”.

Ai vazhdon me reagimin e tij pas kërcënimeve që kanë marrë lojtarët dhe stafi i përfaqësueses.

“Është një kërcënim i paligjshëm kur kërcënon dikë që frikësohet dhe preket. Dëshiron jetën e dikujt ose ke ndërmend t’ia marrësh jetën dikujt”, është shprehur ai.

Federata Suedeze e Futbollit ka parë po ashtu se njëri nga lojtarët është fyer në baza racore në rrjetin e tij social. Federata po ashtu do ta çojë përpara këtë çështje.

“Sigurisht që do ta shqyrtojmë këtë dhe do ta çojmë më tej. Është e kuptueshme që duhet të raportohet edhe kjo. Sigurisht që i marrim shumë seriozisht racizmin dhe nxitjen kundër grupeve etnike”, thotë Fredman.

Ai ka refuzuar të flasë me emra se cilët nga lojtarët apo stafi i ekipit përfaqësues është kërcënuar dhe ka qenë viktimë e racizmit. 

“Është drejtuar në drejtime të ndryshme, kështu që nuk do të hyj në atë se kush ose cilat janë viktimat. Nuk dua të komentoj për emra të ndryshëm. Por ne kemi parë llogarinë tonë dhe llogaritë e lojtarëve dhe trajnerëve”, ka thënë Fredman.

Suedia më 10 tetor e pret Zvicrën në Solna, kurse Kosovën në Goteborg më 13 tetor.