Më 5 shtator përfaqësuesja e Kosovës në futboll fillon kualifikimet për Kampionatin Botëror të vitit 2026. Në “St. Jakob-Park” të Baselit përballet me Zvicrën.
Menjëherë më 8 shtator, Kosova në “Fadil Vokrri” e pret Suedinë. I pret edhe dy prej sulmuesve aktualisht më të mirë në botë. Në ndeshjet e rëndësishme, siç do të jetë ajo me Kosovën, sulmin e Suedisë e udhëheqin Viktor Gyokeres dhe Alexander Isak.
27-vjeçari Gyokeres shkëlqeu në edicionin e kaluar te Sportingu në Portugali. Për javë të tëra ka insistuar që të transferohet tek Arsenali, me gjithë kundërshtimin e klubit portugez. Dhe transferimi u realizua pak ditë më parë për 65 milionë euro. Asnjë lojtar në dhjetë ligat më të forta evropiane nuk i është afruar Gyokeresit për numrin e golave në edicionin e kaluar. I kishte plot 39 gola në 33 paraqitje kampionale.
Gyokeres pritet të jetë yll i Premier Leagues, ndërsa vlerësohet se është lojtari që i ka munguar Arsenalit për ta fituar titullin e kampionit.
Për Suedinë, Gyokeres i ka 15 gola në 26 paraqitje. Ka debutuar që në vitin 2019. Por i rëndësishëm nisi të bëhet vetëm në vitin 2022. Në ndeshjen e kaluar të Suedisë me Kosovën, më 10 shtator 2021, Gyokeres ishte aktivizuar vetëm në minutat shtesë. Tash është lojtar i nivelit më të lartë botëror dhe nëse është i gatshëm dhe grumbullohet, paraqitja në përbërjen bazë nuk është çështje.
Në katër miqësoret e këtij viti të Suedisë, Gyokeres nuk është grumbulluar fare. Por luajti në të gjitha ndeshjet e Ligës së Kombeve në edicionin e kaluar. Shënoi gola në pesë prej gjashtë ndeshjeve. I kishte plot nëntë gola, si asnjë tjetër, ndërsa në ndeshjen e fundit, ndaj Azerbajxhanit më 19 nëntor 2024, i shënoi plot katër. Dhe Suedia fitoi 6:0.
Partner në sulmin e Suedisë i yllit të ri të Arsenalit në shumicën e ndeshjeve është tashmë ylli i madh i Premier Leagues, Alexander Isak.
Njëjtë si Gyokeres, Isak është emër shumë i përfolur i verës.
25-vjeçari për Suedinë i ka 52 ndeshje e 16 gola. Ka debutuar që në vitin 2017. Në dy ndeshjet e kaluara me Kosovën e ka shënuar nga një gol.
Isaku luajti në ndeshjet miqësore të marsit, por u la i lirë për ndeshjet e qershorit. Ai është pjesë e Newcastle Unitedit, por nuk pritet të qëndrojë shumë gjatë. Aktualisht ka shumë raportime lidhur me kalimin e tij te kampioni anglez, Liverpooli. Isask nuk udhëtoi me Newcastlen në një turne përgatitor në Azi. Transferimi i tij mund të arrijë shifrën e 150 milionë funteve.
Isak, prindërit e të cilit janë me prejardhje nga Eritrea, i shënoi 23 gola në Premier League edicionin e kaluar me Newcastlen.
Suedia ka edhe yje të tjerë, por asnjëri nuk i afrohet nivelit dhe famës aktuale të Isakut dhe Gyokeresit. Dhe tifozët në “Fadil Vokrri” në mbrëmjen e 8 shtatorit me shumë gjasa do ta kenë privilegjin të shohin dy prej sulmuesve aktualisht më të mirë në botë.
Më 10 tetor, Kosova e pret Slloveninë. Lojtari kryesor i kësaj përfaqësueseje është Benjamin Sheshko. Aktualisht te Leipzigu në Gjermani edhe Sheshko shumë shpejt pritet të transferohet në Premier League. Manchester Unitedi dhe Newcastle janë skuadrat që po insistojnë për shërbimet e tij. Sheshko i ka 16 gola në 41 paraqitje për Slloveninë.