Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka qëndruar në Luginën e Preshevës, përkatësisht në Bujanoc dhe Preshevë.
Federata Shqiptare e Futbollit ka njoftuar për vizitën, të cilën e vlerësoi historike. Duka ka udhëtuar në Luginë për një turne të fëmijëve që e mbështet FSHF-ja.
Ai është shoqëruar nga anëtarja e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Anila Basha dhe ambasadori i Shqipërisë në Serbi, Bardhyl Canaj.
“Ata u pritën në një takim miqësor nga kryetari i komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues të klubeve shqiptare Tërnoci dhe Besa, si dhe përfaqësues të medias lokale. Gjatë takimit, Presidenti Duka u njoh nga afër me situatën aktuale të futbollit në këtë zonë, si dhe me nevojat për zhvillimin e mëtejshëm të tij. U kërkua mbështetje nga FSHF për rritjen e kapaciteteve në formimin e trajnerëve dhe furnizimin me bazë materiale për klubet, ndërsa një nga temat kryesore ishte përmirësimi i infrastrukturës sportive në këtë komunitet. Presidenti Duka konfirmoi angazhimin e FSHF-së për të vijuar me mbështetjen ndaj turneve të ngjashme në të ardhmen, duke theksuar rëndësinë që kanë këto nisma për aktivizimin e fëmijëve dhe zhvillimin e futbollit në nivel komunitar”, ka njoftuar FSHF-ja.
Duka është takuar edhe me kryetaren e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani.
Sipas njoftimit, në turneun e mbështetur nga FSHF-ja marrin pjesë mbi 300 fëmijë nga Presheva, Bujanoci dhe diaspora shqiptare.