Futboll

Drejtori sportiv i Bayernit pranon interesimin për Asllanin

Fisnik Asllani

Mediumet në Gjermani kanë raportuar javë më parë për interesimin e Bayernit për sulmuesin e Kosovës, Fisnik Asllani. 

Raportimet e mediave gjermane nuk i ka mohuar drejtori sportiv i Bayernit, Max Eberl. Ai ka thënë se Bayerni synon t’i afrojë në klub lojtarët e dëshmuar në Bundesligën e Gjermanisë. 

“Ne kemi një grup lojtarësh me përvojë dhe lojtarë që ishin të talentuar si Michael Olise ose Aleks Pavloviq. Megjithatë, ne gjithashtu duam lojtarë të mirë për të ardhmen dhe kështu nuk kemi nevojë për shpenzime të tepruara për transferime”, ka thënë Eberl në një intervistë për gazetën gjermane “Bild”.

Sulmuesi 23-vjeçar, Asllani, është pjesë e Hoffenheimit me të cilin ka kontratë deri në vitin 2029. Vlera e Asllanit në tregun e transferimeve është 18 milionë euro. 

Është raportuar po ashtu se krahas Bayernit interesim për Asllanin kanë shprehur edhe Barcelona dhe Borussia Dortmundi.

Asllani ka gjashtë gola e dy asistime në 14 ndeshje në Bundesligë dhe një gol e një asistim për Kupë të Gjermanisë.