Borussia Dortmundi ia ka vazhduar kontratën trajnerin kroat, Niko Kovaç.
Kovaç do ta udhëheqë Dortmundin deri më 30 qershor të vitit 2027.
53-vjeçari drejtimin e “verdhezinjëve” e morri më 2 shkurt të këtij viti.
Tekniku kroat deri më tani Dortmundin e ka drejtuar në 27 ndeshje ku ka shënuar 16 fitore, pesë barazime dhe gjashtë humbje.
“Kemi bërë shumë përparim së bashku në gjashtë muajt e fundit për ta rikthyer Borussia Dortmundin në rrugën e duhur. Ndiejmë se ka një nivel të lartë besimi tek ne si trajnerë dhe ndiejmë se mund të arrijmë diçka të veçantë së bashku me klubin dhe tifozët. Bisedat që kemi pasur gjatë disa javëve të fundit kanë përforcuar bindjen time se duke u bazuar në arritjet tona deri më tani, mund të arrijmë sukses afatgjatë në këtë klub” u shpreh Kovaç të martën për faqen zyrtare të Dortmundit.
Kovaç më herët ka drejtuar edhe skuadra si Wolfsburg, Monaco, Bayern Munich e Eintracht Frankfurt. Ka qenë edhe selektor i Kroacisë.