E pabesueshme, por e vërtetë. Sportistët më të paguar në botë fituan më shumë se një miliard franga zvicerane vitin e kaluar. Një futbollist zë vendin e parë
Sportistët fitojnë milionat përmes kontratave fitimprurëse, nga reklamat dhe burimet e tjera, siç janë rrjetet sociale.
Revista e biznesit “Forbes” ka publikuar renditjen e sportistëve më të paguar.
Dhjetë sportistët më të paguar së bashku fitojnë më shumë se një miliard franga zvicerane në vit. Renditja bazohet në 12 muajt e fundit, ndërsa u publikua në fund të muajit maj. Një futbollist është lider i padiskutueshëm.
10 – Kevin Durant (basketboll)
Kevin Durant, 36-vjeçar, ka luajtur për Phoenix Suns në NBA nga viti 2023. Sipas “Forbes”, të ardhurat e tij vjetore, për 12 muajt e fundit, ishin pak mbi 80 milionë franga zvicerane. Më shumë se gjysma e kësaj shume (50 milionë) nuk vjen nga karriera në basketboll, por nga aktivitete të tjera biznesi.
9 – Shohei Ohtani (bejsboll)
Shohei Ohtani, 30-vjeçar, nuk është aq i njohur në Evropë sa sportistët e tjerë. Ai është lojtar japonez i bejsbollit që luan për Los Angeles Dodgers në ligën amerikane të bejsbollit (MLB) që nga viti 2024. Forbes zbulon të ardhurat vjetore prej 83 milionë frangash të Ohtanit. Pjesa më e madhe e të ardhurave të tij vjen nga sponsorizimet dhe marrëveshjet e reklamave për tregun aziatik.
8 – Karim Benzema (futboll)
Futbollisti më i miri i vitit 2022 është i teti në renditjen aktuale të sportistëve më të paguar. Pasi fitoi “Topin e Artë” në vitin 2022, Karim Benzema vendosi të mos e zgjaste kontratën e tij me Real Madridin dhe u transferua në Arabinë Saudite. Atje ai u bë golashënuesi i tretë më i mirë i ligës edicionin e kaluar. Të hyrat vjetore të Benzemas janë 84 milionë franga, sipas “Forbes”.
7 – Juan Soto (bejsboll)
Superylli 26-vjeçar i bejsbollit nga Republika Dominikane nënshkroi një megamarrëveshje 15-vjeçare në dhjetor të vitit 2024, me vlerë 765 milionë dollarë. Është kontrata me kohëzgjatjen më të madhe në historinë e sporteve profesionale. Juan Soto më parë kishte refuzuar një ofertë nga New York Yankees, që i kishte ofruar më shumë se 760 milionë dollarë. Sipas “Forbes”, ai merr 92 milionë franga në vit.
6 – LeBron James (basketboll)
Kush nuk e njeh? LeBron James renditet i gjashti me të hyra vjetore prej 107 milionë frangash. Basketbollisti amerikan është aktualisht lojtar i Los Angeles Lakers. Megjithatë, ai nuk fiton shumicën e të ardhurave nga basketbollit. Forbes raporton se James fiton rreth 79 milionë franga nga reklamat, sponsorët dhe si sipërmarrës.
5 – Lionel Messi (futboll)
Në cilën renditje të më të mirëve nuk shfaqet Messi? Sipas “Forbes”, Lionel Messi ka fituar 126 milionë franga në 12 muajt e fundit përmes sponsorizimit dhe kontratës së tij me Inter Miamin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
4 – Dak Prescott (futboll amerikan)
Rayne Dakota i njohur si Dak Prescott luan futboll amerikan. Në shtator 2024, ai nënshkroi kontratë katërvjeçare në vlerë prej 240 milionë dollarësh. Kjo e bëri atë lojtarin më të paguar në historinë e NFL-së. Përveç përfitimit nga paraqitjet në fushë, ai fiton edhe miliona nga marrëveshjet e sponsorizimit. Ai fitoi 128 milionë dollarë vitin e kaluar.
3 – Tyson Fury (boks)
Tyson Fury, një boksier britanik i kategorisë së rëndë, zë vendin e tretë në renditjen e “Forbes” për sportistët më të paguar në botë. Të hyrat e tij janë 137 milionë franga zvicerane.
2 – Stephen Curry (basketboll)
Me 188 centimetra, ai është një basketbollist i vogël, por “kuleta” e tij është më e madhe se gati e çdo lojtari tjetër. Përmes sportit të basketbollit, si fytyrë e markës ‘Under Armour” dhe aktiviteteve si sipërmarrës, ai fitoi 146 milionë franga.
1– Cristiano Ronaldo (futboll)
Kur bëhet fjalë për paratë e fituara, askush nuk mund të konkurrojë me portugezin, i cili luan për Al Nassr në Arabinë Saudite. Ai fitoi një shumë të pabesueshme prej 222 milionë frangash vitin e kaluar. Ronaldo është kërkuar nga kompani të shumta për vite me radhë si imazh reklamash. Ai ka mbi 600 milionë ndjekës në Instagram. Një postim i shpërndarë nga portugezi vlen disa milionë franga.
Nëse do t’i llogariteshin 40 orë pune në javë, Ronaldo do të fitonte pak më shumë se 106 mijë franga në orë.