Trajneri Daniele De Rossi ka thënë se mbrojtësi i krahut të majtë, Mario Mitaj, është vlerë e shtuar e Genoas.
Ai ka thënë se mbrojtësi i Shqipërisë është futbollist me cilësi të larta, i aftë për të rritur nivelin e ekipit.
“Ai ka cilësi të shkëlqyera. Ofron shumë mundësi në lojë, e vë skuadrën në lëvizje shumë mirë me topin dhe di si ta shtyjë ekipin përpara. Edhe fizikisht, megjithëse nuk është një lojtar shumë i madh, ka shpejtësi, e kontrollon mirë topin, luan me cilësi dhe avancon vazhdimisht. Për sa i përket cilësisë dhe prekjes së topit, ai do ta rrisë nivelin e skuadrës sonë”, ka thënë De Rossi.
Trajneri De Rossi ka bindjen se 22-vjeçari shqiptar mund të luajë edhe në role të tjera në fushë.
“Kam ndjesinë se ai mund të aktivizohet edhe në pozicione të tjera në fushë,” u shpreh tekniku italian.
Mitaj në fund të muajit të kaluar kompletoi huazimin te Genoa nga Al-Ittihadi.
Genoa ka mundësinë e blerjes së kartonit të Mitajt për 6.5 milionë euro në fund të edicionit 2026/2027.