Njëri prej golashënuesve në fitoren 2:0 të Juventusit ndaj Parmas të dielën ishte qendërsulmuesi Jonathan David. Kanadezi David shënoi në debutim për Juven.
Ai e hapi serinë e golave në minutën e 59-të.
25-vjeçari David pasi i skadoi kontrata me Lillen iu bashkua Juves. Me gjigantin italian ka nënshkruar kontratë pesëvjeçare.
“Tifozët sollën një atmosferë të mrekullueshme. Jam i lumtur që shënova në ndeshjen time të parë, por gjëja më e rëndësishme janë tri pikët. Objektivi është ta ndihmoj ekipin sa më shumë që të mundem. Këtë do ta bëj duke shënuar gola, duke dhënë asistime, duke vrapuar, duke u mbrojtur”, u shpreh David pas ndeshjes, shkruan të hënën “Football Italia”.
Ndërkohë supertalenti turk, Kenan Yildiz, asistoi te goli i Davidit. Ai u shpreh se David është një lojtar shumë i fortë.
“Luajtëm një ndeshje të shkëlqyer kundër një kundërshtari të fortë. Jam i lumtur për lojtarët, luajtëm mirë këtë javë dhe shpresojmë të vazhdojmë kështu edhe pas këtyre tri pikëve. David është një lojtar shumë i fortë, ne e pamë tashmë se çfarë mund të bënte me Lille dhe jam shumë i lumtur që luaj përkrah tij”, tha Yildiz.