Futboll

Daku kërkon angazhim më të madh, Shehu beson në fitore

Mirlind Daku dhe Juljan Shehu

Kombëtarja e Shqipërisë në futboll të martën e ardhshme e luan ndeshjen e radhës kualifikuese për Botërorin 2026. E pret Letoninë në “Air Albania” nga ora 20:45.

Shqipëria të enjten fitoi me shumë vështirësi 1:0 në udhëtim në ndeshjen miqësore të zhvilluar ndaj Gjibraltarit. Goli i realizuar nga Jasir Asani nga penalltia e vendosi takimin.

Mirlind Daku dhe Juljan Shehu të shtunën janë paraqitur në konferencë për shtyp para ndeshjes me Letoninë.

Sulmuesi i Rubin Kazanit, Daku, kërkoi angazhim më të madh nga i gjithë grupi. 

“Forcën duhet ta gjejmë dhe besoj që shumë shpejt dhe duke filluar nga ndeshja e Letonisë që është shumë e rëndësishme për të vazhduar rrjedhën e ndeshjeve që kemi me shumë intensitet dhe duhet patjetër të gjejmë forcën dhe të japim maksimumin për t’i fituar këto ndeshje, për të qenë më të qetë sepse ndeshjet më të vështira që i ka ndonjë skuadër është kur luan kundër këtyre ekipeve që në letër nuk kanë çfarë të humbin dhe futen në fushë për çdo gjë. Edhe pse kanë mbetur shumë pak ndeshje, por është një rrugë shumë e gjatë, sepse duhet shumë punë dhe angazhim për të arritur deri atje, sepse kemi kundërshtarë shumë të fortë, por besoj te ky grup dhe te gjithë ne që me mund, sakrificë dhe angazhim do ja dalim”, ka thënë Daku.

Ndërkohë Shehu beson se Shqipëria do të dalë triumfuese ndaj Letonisë.

“Ndeshja e ardhshme është më e rëndësishmja. Gjendja në skuadër është shumë e mirë, kemi entuziazëm dhe duhet ta fitojmë këtë ndeshje. Ky është edhe objektivi kryesor, që të marrim tre pikët. Ndaj Letonisë, duam të marrim tre pikët dhe gjithçka është më e lehtë pastaj”, ka thënë mesfushori i Widzew Lodzit, Shehu.

Shqipëria është në Grupin K së bashku edhe me Anglinë, Serbinë dhe Andorrën.