Sulmuesi Erling Haaland ka shkëlqyer sërish për skuadrën e Manchester Cityt. City të shtunën e mposhti West Ham Unitedin në shtëpi me rezultatin, 3:0, në kuadër të javës së 17-të të Premier Leagues angleze.
Haaland realizoi dy gola dhe bëri një asistim për fitoren e shtatë radhazi të Cityt në të gjitha garat.
Norvegjezi Haaland e hapi serinë e golave në minutën e pestë. Ai asistoi edhe te goli i dytë të cilin e realizoi mesfushori holandez, Tijjani Reijnders, në minutën e 38-të. Haaland e realizoi edhe golin e fundit në minutën e 69-të.
Me golin e parë të shënuar, Haalandi e barazoi Cristiano Ronaldon për numrin e golave në Premier League nga 103 gjithsej. Por shifrën e 103 golave, 25-vjeçari Haalandi e ka arritur në 122 ndeshje më pak të luajtura sesa superylli portugez, kur ishte pjesë e Manchester Unitedit. Ndërsa me golin e dytë ndaj West Hamit, Haaland e barazoi rekordin e ish-sulmuesit të Chelseat, Didier Drogba. Shifrën e 104 golave, Haalandi e arriti me 140 ndeshje më pak të luajtura se ish-sulmuesi i Bregut të Fildishtë.
City ka 37 pikë dhe pas një kohe të gjatë del në pozitën e parë duke rrëzuar Arsenalin që prin tash e sa javë. Arsenali megjithatë më vonë luan ndeshjen e mbetur me Evertonin dhe ka gjasa të rikthejë kreun. “Topçinjtë” kanë 36 pikë.
West Hami është poshtë në renditje me 13 pikë.