Burnely është në bisedime me Chelsean për transferimin e Armando Brojës.
Marrëveshja mes zyrtarëve të klubeve është arritur dhe 23-vjeçarit i është dhënë drita e gjelbër për t’u larguar.
Ai pritet që Burnleyt t’i bashkohet me kontratë pesëvjeçare, ndërsa zyrtarizimi pritet të ndodh në fillimin e javës së ardhshme, ka njoftuar BBC-ja të shtunën.
Burimet e këtij mediumi kanë bërë të ditura se Burnley pritet t’i shpenzojë deri në 20 milionë funte për transferimin e sulmuesit të Shqipërisë.
Broja iu bashkua Akademisë së Chelseat në vitin 2009, ndërsa nënshkroi kontratën e parë profesionale me “blutë” në vitin 2020.
Broja ka luajtur 38 ndeshje me ekipin e seniorëve, teksa si i huazuar ka bërë karrierë edhe te Vitesse, Southamptoni, Fulhami dhe Evertoni.
Golin e parë për Chelsean e realizoi në tetor të vitit 2022, por më pas mungoi në tërë edicionin pas lëndimit të rëndë në gju, të pësuar në miqësoren ndaj Aston Villas vetëm disa muaj më vonë.