Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) ka diskutuar për zgjerimin e Kupës së Botës në 64 përfaqësuese.
Kërkesa për shtimin e përfaqësueseve duke nisur nga Botërori 2030 tashmë është paraqitur zyrtarisht nga liderët e Amerikës së Jugut, që janë me ndikim në FIFA.
Gjatë takimeve të zhvilluar në New York, presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino dhe sekretari i përgjithshëm, Mattias Grafstrom kanë dëgjuar për idenë nga një numër i politikanëve dhe drejtuesve të futbollit nga Paraguaji, Argjentina dhe Uruguaji.
Në emër të mysafirëve, bisedimet i ka udhëhequr Alejandro Dominguez, president i CONMEBOL-it dhe nënpresident i FIFA-s.
Ideja e Botërorit me 64 përfaqësuese së pari është prezantuar në mars nga Uruguaji.
Ky zgjerim synohet në kuadër të festimit të 100-vjetorit të Kupës së Botës.
Botërori është rritur ndjeshëm në dekadat e fundit. Në vitin 1982 nga 16 përfaqësuese u rrit në 24. Në vitin 1998 u prezantuar formati me 32 përfaqësuese, ndërsa Botëror 2026 në SHBA, Kanada dhe Meksikë do t’i ketë 48 përfaqësuese pjesëmarrëse.
Nëse rritet në 64, atëherë më shumë se 30 përqind e 211 vendeve anëtare të FIFA-s do të luajnë në Botëror.