Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Bodo/Glimti, “vrasësi” i Arktikut

Bodo/Glimti

Nga brenda Rrethit Arktik është shfaqur njëra prej historive më të pabesueshme të Ligës së Kampionëve. Dhe lista e gjigantëve që bien këtu, vazhdon të rritet.

“Bodo është ferr”, ka qenë titulli kryesor i mediumit “La Gazzetta dello Sport” pas paraqitjes së fundit të Bodo/Glimtit. Skuadra norvegjeze edhe një herë tjetër e shokoi Ligën e Kampionëve, pas fitores 3:1 ndaj Interit në ndeshjen e parë të plejofit të fazës nokaut. Kështu e ka vazhduar ecurinë që po shihet si legjendare.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në “Aspmyra Stadion”, ku terreni artificial bashkohet me akullin dhe erërat e Arktikut, Manchester City pësoi humbje 3:1, ndërsa Atletico Madridi u mposht 2:1 në “Metropolitano” më herët gjatë kësaj kampanje. Tri fitore rresht ndaj gjigantëve evropiane e kanë kthyer klubin modest nga Rrethi i Arktikut, në njërin prej tregimeve më magjepsëse të turneut.

Mentaliteti i hekurt në kushte me acar

Para ndeshjes me Interin, punëtorët e stadiumit kanë hequr shumë borë nga fusha. Gjatë ndeshjes, temperaturat shkuan deri në -4 gradë celsius, përcjellë me erëra. Por, trajneri Kjetil Knutsen ka thënë se këto kushte nuk janë justifikim.

“Duhet t’i bëjmë gjërat sipas rrugës sonë pavarësisht çdo gjëje, edhe nëse është -10 gradë”, ka thënë ai para ndeshjes. Pasi e mposhti finalistin e edicionit të kaluar të Championsit, ai tha se ekipi nuk duhet t’i qaset ndeshjes kthyese në Itali duke menduar ta ruajë rezultatin. Mentaliteti është i qartë – sulm, garë e fortë, qëndrim prapa identitetit të skuadrës.

Rrëzimi i gjigantëve evropianë

Interi është “viktima” e fundit në “Aspmyra”. Roma, Beshiktashi, Celticu, AZ Alkmaari, Porto dhe Lazio, të gjitha kanë pësuar disfatë këtu, bashkë me Manchester Cityn. Duke luajtur në Champions për herë të parë në historinë e klubit, Bodo/Glimti po ashtu është bërë ekipi i parë norvegjez që fiton ndeshje të fazës nokaut në këtë garë. Ata e kanë arritur këtë sukses pavarësisht se kishin probabilitet prej 99.7 për qind të eliminimit, pas xhiros së pestë të fazës së ligës.

Fortesa ku pak mbijetojnë

Konteksti e bën këtë të arritur edhe më të jashtëzakonshme. Bodo/Glimti nuk ka luajtur ndeshje në ligë në shtëpi për 81 ditë para fitores ndaj Interit. I ka munguar ritmi garues në shtëpi, por ka shfaqur formë të lartë në skenën evropiane.

Në 44 ndeshjet e fundit evropiane në shtëpi, ata kanë fituar 33 herë, kanë barazuar dy herë dhe janë mposhtur nëntë herë. “Aspmyra Stadion” është bërë njëra prej impianteve më të papërshtatshme në futbollin kontinental.

Aventura ende nuk ka mbaruar. Por, pavarësisht se çfarë ndodh në ndeshjen kthyese, Bodo/Glimti tashmë e ka siguruar vendin në mesin e tregimeve më të jashtëzakonshme të Ligës së Kampionëve në këtë sezon.