Bodo/Glimt vazhdon të sfidojë parashikimet. Skuadra norvegjeze, me seli vetëm rreth 112 kilometra larg Rrethit Arktik, ka krijuar reputacion për befasitë që bëri. Por të martën mbrëma në Milano, kjo skuadër bëri një nga befasitë më të mëdha në histori të Ligës së Kampionëve.
Duke u përballur me fituesin e trefishtë të Championsit, Interin, Bodo pati detyrë të vështirë, ndonëse kishte epërsi 3:1 nga ndeshja e parë. Interi vetëm nëntë muaj më herët luajti në finale kundër PSG-së.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoLojtarët e ekipit norvegjez sërish ishin në krye të detyrës, njëjtë si në fitoret ndaj Manchester Cityt dhe Atletico Madridit në fazën e ligës.
Ishte një tjetër paraqitje e qartë dhe e vendosur në Itali, për të kompletuar një fitore të dyfishtë ndaj skuadrës së Cristian Chivu.
Në pjesën e parë Bodo/Glimti zbrapsi sulmet e Interit, kurse në të dytën i shënoi dy gola për ta bërë edhe më të vështirë punën për gjigantin italian.
Bodo/Glimti fitoi 2:1 dhe me rezultatin e përgjithshëm 5:2 avancoi në një të tetën e finales në Ligën e Kampionëve. Është hera e parë që kjo skuadër arrin në këtë fazë, ndërsa tani do të përballet me Manchester Cityn apo me Sportingun.
“Është moment historik për Bodon dhe mendoj edhe për futbollin norvegjez”, ka thënë trajneri Kjetil Knutsen.
Jens Peter Hauge ishte përsëri frymëzues, duke shënuar golin e gjashtë në Champions dhe duke përgatitur golin tjetër të Hakon Evjenit.
“Nuk duket e vërtetë, por ne jemi në mesin e ekipeve më të mira në garë”, ka thënë sulmuesi i cili u kthye në stadiumin ku i kaloi dy vjet si lojtar i Milanit.
“Do të jetë vërtetë emocionuese të shohim se çka do të sjellin dy ndeshjet e ardhshme”.
Ky sukses as që është ëndërruar te Bodo pas dështimit për të fituar gjashtë ndeshjet e para në fazën e ligës. Kjo do të thoshte që skuadrës i duheshin fitore me Manchester Cityn dhe Atletico Madridin për kualifikim në plejof.
Dhe, përkundër gjitha parashikimeve, Bodo/Glimti i fitoi ato ndeshje. Fitorja 3:1 ndaj Cityt solli vëmendjen e merituar, kurse fitorja 2:1 ndaj Atleticos në Madrid solli vendin në plejof.
Skuadra e Knutsenit humbi në gjysmëfinale të Ligës së Evropës edicionin e kaluar, duke u bërë e para nga Norvegjia që arriti në katër më të mirat në një kupë evropiane.
Çelësi i suksesit ka qenë aftësia për të bërë ndeshjet në shtëpi shumë të vështira për rivalët. Në veri të Norvegjisë, Bodo kryesisht është qytet i ftohtë, me borë e me erë gjatë muajve të gjatë të dimrit. Temperaturat janë thellë në minus. Kushtet e vështira atmosferike bëjnë që ekipi të luajë në fushë artificiale. Dhe për shumë ekipe të mësuara të luajnë në bari natyral, kjo ka paraqitur problem.
Këto aspekte janë bashkuar me përkushtimin e lojtarëve dhe besimin e fortë të tyre. Dhe kjo bëri që shumë ekipe të mëdha të largohen nga Bodo si humbëse.
Bodo në mënyrë të famshme fitoi 6:1 ndaj Romës së Jose Mourinhos në Ligën e Konferencës, pesë vjet më parë. Celticu, Beshiktashi, Porto dhe Lazio po ashtu ishin viktima në vitet e fundit.
Manchester City nuk do t’i gëzohej shumë një përballjeje tjetër me Bodon në një të tetën e finales. Norvegjezët kanë dëshmuar se nuk kanë pse të frikësohen nga top-skuadrat evropiane.
“Është mahnitëse”, ka thënë kapiteni Patrick Berg.
“Për klubin dhe qytetin është e pabesueshme. Nuk besoj që njerëzit kanë menduar se mund ta mposhtim Manchester Cityn, Atletico Madridin dhe tani Interin dy herë. Është e mahnitshme”.
Arritja në gjysmëfinale të Ligës së Evropës në edicionin e kaluar do t’u jap besim norvegjezëve. Po ashtu është shpresë për të gjitha klubet e vogla se çka mund të arrihet në garat e mëdha të UEFA-s. Dhe për sa kohë të vazhdojë ky udhëtim, Bodo/Glimti do të mbështetet nga tifozët e zëshëm, që ranë në sy edhe në Milano, të veshur të gjithë me të verdhë dhe me shalle të mbajtura lart.
“Jam shumë krenar. Ne jemi ekip nga një qytet i vogël”, shtoi Knutsen. “Shpresoj të tregojmë që nëse ne mund ta bëjmë, atëherë mund ta bëjnë të gjithë. Për mua kjo është gjëja më e bukur e gjithë rrëfimit”.
Kur Bodo/Glimti mposhtej në “Fadil Vokrri”
Ishte 5 gushti i vitit 2021 kur skuadra tashmë e njohur norvegjeze, Bodo/Glimt, luajti në “Fadil Vokrri”. Në praninë e vetëm 2912 shikuesve, Bodo/Glimti pësoi 2:1 nga Prishtina. Ishte ndeshja e parë e raundit të tretë kualifikues të Ligës së Konferencës.
Otto John e shënoi golin e parë për Prishtinën në minutën e 44-t, për të barazuar rezultatin në 1:1. Ndërkohë fitorja e Prishtinës u arrit me autogolin e Marius Lode në minutën e 82-të.
Megjithatë skuadra norvegjeze fitoi 2:0 më 12 gusht në stadiumin tashmë të njohur “Aspmyra” në Bodo, për të avancuar tutje. Kishte arritur deri në çerekfinale të Ligës së Konferencës atë edicion. Madje në fazën grupore kishte shënuar fitore 6:1 ndaj Romës së Jose Mourinhos. Në çerekfinale e kishte eliminuar pikërisht Roma.
Prej atëherë Bodo/Glimti ka pasur rritje të pabesueshme. Dhe tani do të luajë me Manchester Cityn apo Sportingun në një të tetën e finales në Champions, pasi e eliminoi Interin.