Detyrat në qendër të mbrojtjes i kreu me sukses, e për më tepër dha kontribut edhe në fazën e sulmit. Blerta Smaili ishte prej futbollisteve më të rëndësishme të Kosovës në dy fitoret e kësaj jave ndaj Bullgarisë.
Të martën në Sofje, Kosova fitoi 3:1. Ndërkohë të shtunën në Prishtinë, “Dardanet” fituan 2:1.
Dy ndeshjet i takuan kualifikimeve për Kupën e Botës 2027. Kosova i ka fituar katër ndeshjet e para në Grupin C2 dhe udhëheqë në tabelë me 12 pikë. Kroacia i ka nëntë, Bullgaria tri dhe Gjibraltari mbetet pa pikë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë Sofje, Smaili shënoi golin e epërsisë 2:1, me goditje të bukur me kokë. Ndërkohë në Prishtinë realizoi nga afërsia për 1:1, në minutën e 52-të. Kapitenia Erëleta Memeti e realizoi golin e fitores së vështirë, në minutën e 96-të.
“Jam shumë e kënaqur me ekipin, paraqitjet dhe fitoret e këtij cikli kualifikues. Ka disa gjëra që duhet t’i përmirësojmë për të arritur qëllimin. Natyrisht, qëllimi është fitimi i grupit, paraqitja në plejof dhe kalimi në Ligën B për edicionin e ardhshëm”, ka thënë Blerta Smaili për KOHËN, të dielën.

E lindur në Gjermani, ajo ka luajtur për Gjermaninë U17, kurse në vitin 2020 iu bashkua Kosovës. Për kohë të gjatë është prej bartëseve të lojës, sidomos në mbrojtje. Në nivel klubesh ka luajtur në Gjermani, Suedi, Zvicër, Portugali dhe tani është në Turqi te skuadra kampione, Fomget.
“Me Kosovën i kam tri gola gjithsej, ndërsa dy prej tyre i kam realizuar në dy ndeshjet e fundit. Jam e lumtur për golat, isha në vendin e duhur në momentin e duhur. Shpresoj të jap kontribut edhe në të ardhmen për suksese të Kosovës. Tani me Kombëtare jemi në moment të mirë, po rritemi vazhdimisht. Morëm disa lojtare të reja dhe është dashur kohë deri të komponohemi, të njohim më mirë njëra-tjetrën. Më herët me Kroacinë kemi humbur dy ndeshje e këtë herë kemi fituar. Kjo është shenjë e mirë. Po luftojmë për njëra-tjetrën, për fanellën dhe kjo është e domosdoshme”, ka thënë Smaili.
Kosova muajin e kaluar fitoi 6:0 ndaj Gjibraltarit, kurse fitoi 1:0 ndaj Kroacisë në udhëtim. Me dy fitoret ndaj Bullgarisë, pozita e Kosovës në grup është shumë e mirë. Këtë e pranon edhe Smaili, që është nga Prishtina.
23-vjeçarja thekson që për ndeshjen e ardhshme, ndaj Kroacisë në Prishtinë më 5 qershor, Kosova duhet të shquhet me angazhim dhe luftë në fushë. Ajo po ashtu pret përkrahje nga tribunat për tjetër rezultat pozitiv ndaj Kroacisë, që do të siguronte suksesin e madh – vendin e parë në grup.
“Personalisht po ashtu jam në moment të mirë në karrierë. Në Turqi nuk ia dolëm ta mbrojmë titullin e kampionit, por kisha paraqitje të mira. Edhe te Kosova jam në moment pozitiv. Dy golat natyrisht janë motivim për punë e angazhim edhe më të madh”, thotë Blerta Smaili.
Ajo ka kontratë deri në verë me klubin turk. Thotë se futbolli i femrave në Turqi po rritet vazhdimisht, falë angazhimit të lojtareve nga vende të tjera, duke përfshirë edhe ato nga Kosova.
Lidhur me të ardhmen, Smaili thotë se ka shumë opsione në “lojë”. Por paraqitjet me Kosovën përfundimisht se do t’ia lehtësojnë hapin tjetër para në karrierë.