Futboll

Bayerni i pandalshëm, synon ta vazhdojë ecurinë rekorde

Bayerni i pandalshëm, synon ta vazhdojë ecurinë rekorde

Bayern Munichu siguroi një tjetër fitore të mërkurën mbrëma ndaj Kolnit, 4:1, dhe avancoi në 1/8 e finales së Kupës së Gjermanisë. Përveç fitores së 14-të rresht e theu edhe rekordin e vendosur nga Milani në edicionin 1992/93

Fitoret për Bayern Munichun janë bërë të zakonshme dhe duken thuajse të ngjashme në këtë edicion. 
Ekipi nga Munihu siguroi një tjetër fitore 4:1 të mërkurën mbrëma. E mposhti Kolnin në Kupën e Gjermanisë dhe zuri vend në mesin e 16 skuadrave më të mira të kësaj gare.  

Fitorja më së miri e ilustron ecurinë aktuale. 14 fitore rresht në të gjitha garat që nga nisja e edicionit, që është rekord i ri në pesë ligat më të forta evropiane. Rekordi i mëparshëm mbahej nga Milani i Fabio Capellos, që kishte 13 fitore të njëpasnjëshme, në fillim të edicionit 1992/93. 

Bayern Munichu i shkëlqyer - me Harry Kanen në formë shumë të lartë, me 22 gola në këtë edicion me fanellën bavareze - është duke shkatërruar çdo gjë që i del në rrugë. Dhe tani shpreson që ta vazhdojë edhe më shumë këtë ecuri rekorde. 

Lojtarët e udhëhequr nga Vincent Kompany kanë realizuar 51 gola këtë kampanjë dhe i kanë pranuar vetëm dhjetë. Bayerni gjatë rrugës ka shënuar fitore të rëndësishme edhe ndaj klubeve të mëdha. Lart në listë është fitorja 3:1 ndaj kampionit aktual të botës për klube, Chelseat, dhe ajo 2:1 në “klasiken gjermane” ndaj Dortmundit. 

Me formën që po e kalon, është e vështirë të dihet se kush do ta ndalë ecurinë pozitive të Bayern Munichut. 

Ndeshja e radhës për bavarezët është të shtunën ndaj Bayer Leverkusenit, në kuadër të xhiros së nëntë të Bundesligës. Por, testi i vështirë do të jetë të martën kundër Paris Saint-Germainit, kampion në fuqi i Evropës. Ndeshja luhet në “Parkun e Princave” dhe i takon xhiros së katërt të fazës së ligës në Champions. 

Të dyja ekipet kanë bilanc të qindpërqindtë dhe renditen në krye të tabelës.