Ndaj kryetrajnerit të Llapit, Tahir Batatina, është hapur procedurë disiplinore lidhur me veprimet e tij pas ndeshjes me Prishtinën.
Të shtunën në stadiumin “Fadil Vokrri”, Llapi e humbi 3:2 ndeshjen dramatike ndaj Prishtinës. Batatina ishte i pakënaqur me punën e arbitrit Genc Nuza dhe për veprimet e tij pritet të dënohet nga organet e FFK-së.
“Pas përfundimit të ndeshjes, Tahir Batatina është vërsulur disa herë në drejtim të gjyqtarit kryesor dhe të kolegëve të tij në mesin e fushës, duke përdorur gjuhë vulgare, ofenduese dhe kërcënuese. Pastaj duke shkuar në drejtim të bankinës bie në provokimin e shikuesve të cilëve ua tregon gishtin e mesit, i fyen shikuesit e pranishëm duke provokuar një eskalim të mundshëm të masës. Për këto sjellje josportive dhe vulgare ndëshkohet direkt me karton të kuq”, shkruan në vendimin e Komisionit të Garave të FFK-së, të publikuar të martën pasdite.
Sipas vendimit, Batatina ka tentuar të realizojë sulm fizik ndaj Nuzës edhe pasi u ndëshkua me karton të kuq. Madje një përpjekje të tillë e bëri edhe pas largimit nga fusha.
“I njëjti pas ndëshkimit ka tentuar ta sulmojë fizikisht gjyqtarin kryesor por falë intervenimit të policisë është evituar sulmi. Po ashtu edhe në tunelin e stadiumit dukshëm i frustruar ka tentuar ta sulmojë fizikisht gjyqtarin por sërish është penguar nga policia”, shkruan tutje në vendim.
Edhe
Merret vendimi për Tahir Batatinën
Procedurë është hapur edhe ndaj klubit Llapi, për komunikatën e lëshuar pas ndeshjes në Prishtinë.
Komisioni i Garave ka vlerësuar se Llapi përmes komunikatës ka akuzuar gjyqtarin Nuza, e ka ofenduar dhe e ka kërcënuar atë.
Procedurë është hapur edhe ndaj Prishtinës, për lëshime në organizim të ndeshjes derbi me Llapin.
Prishtina mund të dënohet pasi ekonomi i Llapit, Besart Hoti, ka kaluar rrethojat e stadiumit, është futur në fushën e lojës dhe ka ofenduar e kërcënuar arbitrat. Hoti u ndëshkua me të kuq, ndonëse nuk ishte i paraqitur në protokollin e ndeshjes. Prishtinës mund t’i kushtojë edhe fakti që “disa persona u lejuan të qëndrojnë prapa bankinës së Llapit, të cilët kanë ofenduar dhe kanë penguar trajnerin Batatina”.
Edhe
Batatina suspendohet për dy ndeshje
Dënim e pret edhe Feronikelin 74 për lëshim në organizim të ndeshjes me Dukagjinin. Në minutën e 28-të të ndeshjes tifozët vendas hodhën një shishe qelqi në fushë, në mesin e shumë telasheve që i shkaktuan. Një copë e shishes goditi portierin vendas dhe e lëndoi atë.
“Përfaqësuesit zyrtarë të KF Feronikeli 74 bashkë me disa zyrtarë shkojnë për t’i qetësuar tifozët mirëpo hasin në rezistencë. Fillojnë verbalisht e pastaj edhe konfrontimet fizike ku dy–tre simpatizues tentojnë t’i kalojnë rrethojat dhe të futen në fushë. Si pasojë e gjithë kësaj gjyqtari kërkon zbrazjen e tribunës për çka ndeshja ndërpritet për 12 minuta”, shkruan në vendim.