Futboll

Batatina në disiplinore, Federata thotë se e kapi për fyti gjyqtarin

bt

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, e ka kapur për fyti gjyqtarin kryesor të ndeshjes Gjilani – Llapi, Egzon Dakaj. 

Kështu shkruan në raportin e Komisionit të garave të Federatës së Futbollit të Kosovës. 

Sipas raportit, Batatina, ndaj të cilit është iniciuar procedurë disiplinore, pas përfundimit të ndeshjes kishe shfaqur veprime agresive e kërcënuese. 

“Pas arritjes në Prishtinë, në parkingun e ‘Viva Fresh’ në Veternik, i bllokon veturën gjyqtarit kryesor dhe përsëri kërkon sqarim për dhënien e kartonit të kuq me tone të larta, si dhe kap për fyti. Mirëpo  falë ndërhyrjes së delegatit të ndeshjes, i cili ishte prezent, nuk lejohet të eskalojë situata. Sipas raporteve personave zyrtarë të ndeshjes Gjilani–Llapi”, shkruan në njoftimin e FFK-së.

Po ashtu procedurë disiplinore është hapur edhe ndaj lojtarit të Llapit, Alex Gnapi, me arsyetimin se në minutën e gjashtë ka ndërhyrë në mënyrë të palejuar duke rrezikuar shëndetin e portierit kundërshtar.

Gnapi u ndëshkua direkt me karton të kuq pas duelit që e pati me portierin e Gjilanit, Vokli Laroshi. 

Reagimi i Batatinës dhe reagimi i Llapit pas ndeshjes ka të bëjë pikërisht me këtë episod të ndeshjes.

Klubi llapjan pretendoi se gjyqtari Egzon Dakaj ka bërë gjykim tendencioz.