AZ Alkmaari është kundërshtari më i fortë i Dritës në Ligën e Konferencës. Në shortin e fazës së ligës, skuadra holandeze ishte në vazon e parë, ndërsa Drita në të katërtën, prej gjashtë gjithsej. Madje AZ ishte i dyti në vazon e parë, vetëm pas Fiorentinës.
Drita e AZ Alkmaar takohen të enjten nga ora 18:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Ndeshja i takon xhiros së pestë, përkatësisht të parafundit, të fazës së ligës në “Conference League”.
Pas katër xhirosh, kampionia e Kosovës qëndron dukshëm më mirë se skuadra e njohur holandeze në tabelë. Drita është ende pa humbje. Ka dy fitore e dy barazime dhe me tetë pikë është aktualisht në vendin e tetë. Kjo pozitë në fund dërgon direkt në një të tetën e finales në Ligën e Konferencës.
AZ Alkmaar është vetëm në vendin e 20-të pas katër xhirosh. Ka dy fitore e dy humbje, përkatësisht gjashtë pikë. Pozita e 20-të dërgon në plejofin e fazës nokaut.
Ndonëse favorit i madh, AZ Alkmaar nisi si më keq fazën e ligës. Pësoi 4:0 në udhëtim nga AEK Larnaca në Qipro. Më pas në shtëpi fitoi 1:0 ndaj Slovan Bratislavës. Në xhiron e tretë ekipi holandez ishte sërish mysafir. Dhe humbi 3:1 në Angli nga Crystal Palace. Reagoi në xhiron e katërt në ndeshjen në shtëpi, duke fituar 2:0 ndaj Shelbourne të Irlandës.
Dhe tani holandezët kanë tjetër ndeshje në udhëtim.
Drita e Gjilanit nisi me barazim 1:1 në udhëtim te KuPS në FInlandë. Më pas barazoi po 1:1 me Omonian e Qipros në “Fadil Vokrri”. Në xhiron e tretë fitoi 1:0 në Irlandë ndaj Shelbourne, kurse në kuadër të xhiros së katërt e fitoi në Prishtinë “derbin shqiptar” ndaj Shkëndijës së Tetovës, me rezultatin 1:0.
Në xhiron e gjashtë dhe të fundit, Drita luan në Spanjë ndaj Rayo Vallecanos, më 18 dhjetor. Rayo Vallecano në short ishte në vazon e dytë.
Në elitën holandeze, AZ Alkmaari është në vendin e pestë me 25 pikë. Janë luajtur 15 xhiro, ndërsa kjo skuadër ka mbetur plot 15 pikë prapa PSV-së që udhëheqë në tabelë.
Edhe kampionatin e kaluar kjo skuadër e përfundoi në vendin e pestë në “Eredivisie”.
Për dallim nga Liga e Kampionëve dhe Liga e Evropës ku zhvillohen tetë xhiro, në Ligën e Konferencës janë gjashtë xhiro në fazën e ligës. Tetë skuadrat e para në tabelë avancojnë direkt në një të tetën e finales. Skuadrat prej vendit të nëntë e deri në vendin e 24-t avancojnë në plejofin e fazës nokaut. Ndërkohë skuadrat prej vendit të 25-të deri në vendin e 36-të eliminohen.
Për Dritën është sukses i madh paraqitja në fazën e ligës. Por tashmë gjilanasit synojnë të shkojnë sa më larg. Me sukses ndaj AZ Alkmaarit, një e teta e finales duket shumë e mundshme.