Te Drita kanë theksuar se janë të gatshëm për ndeshjen e vështirë ndaj AZ Alkmaarit në Ligën e Konferencës, por kanë shtuar se do të kënaqeshin edhe me barazim.
Ndeshja e kampiones së Kosovës me skuadrën holandeze luhet të enjten në “Fadil Vokrri” nga ora 18:45. I takon xhiros së pestë të fazës së ligës në Ligën e Konferencës.
Drita është e teta pas katër xhirove me 8 pikë. AZ Alkmaari, me dy pikë më pak, është i 20-ti.
Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, theksoi se skuadra është e gatshme, siç ka qenë në ndeshjet e kaluara.
“Nëse nuk do të ishim të gatshëm, nuk do të arrinim këtu. Kemi qenë të gatshëm në çdo ndeshje. Kemi analizuar ne si staf të gjithë kundërshtarët. Edhe për këtë ndeshje ekipi është i gatshëm për të dhënë maksimumin. Duhet të kemi disiplinë taktike. Lufta sportive duhet të jetë në nivelin e duhur. Jemi në një garë ku kemi tetë pikë pas katër ndeshjeve. Shpresoj të vazhdojmë me ecuri pozitive. Ndoshta me një fitore mund të jenë mendimet ndryshe. Të gjithë do të japin atomin e fundit”, theksoi Ramadani të mërkurën në konferencë për shtyp.
Arb Manaj ishte në konferencë për shtyp po ashtu. Manaj ka qenë prej lojtarëve më të rëndësishëm te Drita.
“Jam i gatshëm për ndeshjen e nesërme. Kemi kundërshtar mjaft të vështirë. Kemi luajtur në Evropë edhe me kundërshtarë më të fortë. Do të jetë vështirë. E kemi analizuar mirë kundërshtarin. Shpresoj që nesër të dalim me rezultat pozitiv”, tha Manaj.
Ai ka kërkuar edhe ndihmën e tifozëve.
“Shpresoj që ‘Intelektualët’ të na mbështesin, ashtu siç ishin në ndeshjen ndaj Shkëndijës. Shpresoj të jenë të pranishëm si në ndeshjen e fundit dhe të jenë lojtari i 12-të”, theksoi Manaj.
Trajneri Ramadani tha se skuadra nuk ka nevojë për motivim.
“Asnjëherë nuk jam frikësuar nga presioni. Kisha një siklet duke e parë pas ndeshjes me Shkëndijën se të gjitha mediumet llogaritën se u kualifikuam në plejof. Jam munduar që t’ua largoj euforinë futbollistëve, pasi asgjë nuk është e sigurt. Duhet të luftojmë për të shënuar gola të fitores e barazimit, por ne duhet të luajmë për të shënuar gol. Sa i përket motivimit, nuk e kam harxhuar asnjë fjalë për t’i motivuar lojtarët, pasi pronarët nuk do të më lënë për të folur për motiv. Të gjithë luajnë për të ardhura. Edhe nesër do të ketë ‘premio’, që do të jetë motiv shtesë. Por kërkoj nga futbollistët dhe vetja, që motivi jonë kryesor të jetë objektivi që e kemi. Objektivi është të dalim të pamposhtur. Të luftojmë në çdo pozitë, të dyfishojmë në çdo pozitë, në defansivë. Me barazim do të ishim të kënaqur”, tha Ramadani.
Te skuadra e Dritës të enjten do të mungojë kapiteni Rron Broja, shkaku i një lëndimi të pësuar më herët. Por, tekniku shkupjan ka theksuar se do të mundohet që ta gjejë zëvendësimin adekuat për ndeshjen ndaj AZ Alkmaarit.
“Rron Broja është ai që mungon, kapiteni. Nuk kemi çfarë të fshehim. Duhet të pushojë edhe disa ditë. Sa i përket lojës, nëse nuk do të përshtateshim në garë, do të vuanim shumë. Kemi bërë ndryshim edhe në vendosje, në stil, në vendosje të lojtarëve. Kemi bërë analiza për t’u mbrojtur mirë, për të dyfishuar në fazën defensive dhe jemi fokusuar në pikat e dobëta të kundërshtarit”, tha Ramadani.
47-vjeçari tha se Drita në këtë ballafaqim nuk është favorite. Ka shtuar se AZ Alkmaarin do ta respektojë vetëm para fillimit të ndeshjes, ndërsa në fushë do të ketë vetëm luftë sportive.
Drita më herët ka luajtur ndaj kundërshtarëve holandezë. Por Ramadani nuk ishte trajner.