Futboll

Al Hilali e pati të vështirë ta bindë Inzaghin

Zyrtare, Inzaghi firmosi me Al-Hilalin

Shefi ekzekutiv i klubit Al Hilal, ka bërë të ditur se negociatat kanë qenë të komplikuara për ta bindur Simone Inzaghin për t’u bërë trajner i ekipit. Esteve Calzada ka theksuar se Inzaghi ka qenë shumë i lidhur me skuadrën e tij të mëparshme, Interin, por në fund nënshkroi kontratë luksoze me ekipin e elitës së futbollit në Arabinë Saudite.

Tekniku italian u largua nga “nerazzurrët” pas katër vjetësh.

Është raportuar se ai do të marrë pagë prej 30 milionë eurove në sezon, plus 5 milionë euro të tjera bonuse. “Ishte proces i komplikuar i negociatave, por jemi të lumtur sepse kemi nënshkruar kontratë me trajner të klasit botëror, që është prej më të mirëve në botë”, ka deklaruar shefi ekzekutiv, Esteve Calzada për gazetën spanjolle “Marca” të dielën.

Inzaghi tek Interi e fitoi titullin në Serie A, dy Kupa të Italisë dhe tri Superkupa të Italisë. Ai arriti në dy finale të Ligës së Kampionëve dhe i humbi të dyja, nga Manchester City në vitin 2023 dhe nga Paris Saint-Germaini këtë vit.