Futboll

Agim Ademi flet për “Blick”: Avdullahu mund të bëhet Xhaka i Kosovës

Agim Ademi dhe Leon Avdullahu

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka dhënë një intervistë të gjatë për gazetën e madhe zvicerane, “Blick”.

Ademi ka folur për çështje të shumta që lidhen për dy përfaqësueset.

Fillimisht është pyetur nëse Zvicra duhet t’i frikësohet atij.

“Zvicra nuk ka pse të më frikësohet mua apo Federatës së Futbollit të Kosovës. Ne jemi shokë të mirë dhe nuk frikësohesh nga shokët. Kemi raport shumë të mirë me Zvicrën. Por në futboll, në fund të fundit, ajo që ka rëndësi është kush e fiton ndeshjen. Për këtë arsye ne duam të fitojmë të premten”, ka thënë Ademi.

Ai ka thënë se Kosova është e hapur ndaj të gjithë lojtarëve që dëshirojnë ta prezantojnë dhe që kanë nivel të caktuar. Ka thënë se në Zvicër është një diasporë e fortë e Kosovës që ruan rrënjët, ndien gjakun e Kosovës dhe e do vendin e prindërve dhe familjarëve të tyre. 

“Ne gjithnjë do të jemi mirënjohës ndaj Zvicrës, që ka pritur komunitetin tonë. Po, futbolli ofron më shumë mundësi në Zvicër se në Kosovë. Por shqiptarët po ashtu e kanë dërguar futbollin e Zvicrës në nivel tjetër, duke nisur nga Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri. Ekipet e Superligës së Zvicrës shpesh i kanë 5-6 futbollistë me rrënjë shqiptare dhe ka numër jashtëzakonisht të madh shqiptarësh në ekipet e juniorëve dhe te të rinjtë. Zvicra si vend na ka ndihmuar ta realizojmë ëndrrën për pavarësi. Na ndihmon në aspektin ekonomik. Mund të thuhet që na ndihmon edhe në aspektin sportiv. Ne nuk e detyrojmë askënd që të luajë për ne”, ka thënë Agim Ademi.

Për Leon Avdullahun, Ademi ka thënë se vendosi me zemër dhe se është lojtar shumë i mençur. 

Ai ka treguar se FFK-ja po punon për të krijuar ekipin përfaqësues për dhjetë vjetësh e ardhshme, duke angazhuar lojtarë të rinj. Synimi i madh është kualifikimi në Evropian.

“Dhe Leoni luan rol shumë të rëndësishëm në këtë, si lider. E shohim atë si pjesë të gjeneratës së re, që do të vendosë bazën. Ne besojmë se ai mund të bëhet Granit Xhaka i Kosovës. Natyrisht, është ende i ri dhe nuk duam t’i bëjmë shumë presion. Por besojmë se ai mund të zhvillohet ende”.

Agim Ademi ka treguar se nuk kanë kontaktuar me federatën zvicerane për Avdullahun. Por njëjtë është vepruar kur Andi Zeqiri dhe Uran Bislimi vendosën për Zvicrën. Ka thënë se kur lojtari vendos, vendimi respektohet nga të dy anët.

Ka mohuar që të ketë konflikt mes dy federatave.

“Nëse dikush e zgjedh Zvicrën ne e respektojmë këtë. Kur Xhaka dhe Shaqiri zgjodhën Zvicrën ne kemi vazhduar t’i përkrahim ata. Së fundi Ardon Jashari na ka refuzuar. Këta lojtarë ndihen komod aty ku janë. Dhe ne në Kosovë jemi tifozë të Zvicrës për shkak të tyre”, ka thënë Agim Ademi.

Për Albian Hajdarin, Ademi ka thënë se do të ishin krenarë nëse e zgjedh Kosovën. Por ka thënë se do ta përkrahin pavarësisht vendimit që merr.

“Në Zvicër është një komunitet i madh nga Kosova. Por fokusi ynë nuk është vetëm në Zvicër. Ne kemi lojtarë nga Gjermania, Franca, Skandinavia. Por në Zvicër bien në sy vetëm kur bëhet fjalë për lojtarët që vijnë nga ky vend”, ka theksuar Ademi.