Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka thënë se shorti i Botërorit ka vënë përballë ekipe që janë për t’u respektuar.
Kosova, nëse kualifikohet në Botëror, do të jetë në grup me SHBA-në, Paraguain dhe Australinë.
Ademi për KOHËN u shpreh se në futboll sot nuk është asgjë e sigurt.
“Sa i përket grupit, ai mund të konsiderohet i mirë. Të gjitha ekipet janë për t’u respektuar, sepse fakti që janë kualifikuar do të thotë se janë skuadra të forta. Sot në futboll asgjë nuk është e sigurt, dhe secila përfaqësuese që arrin në Botëror mund të shpallet kampione e grupit. Futbolli është avansuar dhe zhvilluar në gjithë botën”, ka thënë ai.
Ai shpreson se në dy ndeshjet e mundshme në mars të jenë të kompletuar.
“Kosova ka edhe dy ndeshje shtesë për të siguruar pjesëmarrjen në Kupën e Botës. Uroj që në këto dy sfida të jemi të kompletuar dhe në formë të mirë, pa lëndime dhe mungesa. Shpresoj që Gladiatorët Dardanë ta kenë edhe fatin me vete dhe të sigurojmë biletën për Botërorin 2026”, shtoi Ademi.